
Nga selia e Partisë Socialiste, Kryeministri i zgjedhur i vendit Edi
Rama shprehu mbështetjen paekuivok të Qeverisë së re për SHBA-të dhe
NATO-n, në përpjekjet e tyre për t’i kthyer lirinë Sirisë dhe për ta
shpëtuar popullin sirian nga regjimi barbar i Bashar al Assad.
“Ne do të jemi pa asnjë diskutim dhe hezitim në krahë të shteteve të bashkuara në cdo front beteje ushtarake që arsye të vetën ka lirinë e njerëzve dhe clirimin e popujve nga regjimet barbare, të cilat shkojnë deri tek armët kimike për mbijetesën e tyre. Si Qeveria e re e Shqipërisë, ne do të jemi kurdoherë dhe me çdo çmim, në lartësinë e borxhit të pashlyeshëm historik ndaj aleatëve që mbështetën aspiratën e shqiptarëve për liri dhe sot ne jemi njësh me ta, në shprehjen e revoltës ndaj regjimit të Damaskut dhe të përgjegjësisë për t’ju kundërpërgjigjur ushtarakisht politikës shfarosëse të armëve kimike.Jemi plotësisht gati që me të marrë detyrën në Kuvendin e Shqipërisë, të marrim edhe detyrën që na takon për të mbështetur me të gjitha kapacitetet e kërkuara operacionale përpjekjen e Aleancës Euroatlantike për të ndalur marrëzinë vrastare ndaj popullit sirian”, tha Rama.
Jam i bindur, – tha Edi Rama, – se në këtë drejtim Kuvendi i Shqipërisë do të jetë unanim përballë çdo kërkese që do të vijë nga NATO dhe ne do të jemi të pakursyer për të qëndruar pranë popullit sirian në këtë moment të vështirë për të.
Top Channel