Japonia rriti nivelin e alarmit rreth impiantit të dëmtuar bërthamor të Fukushimës këtë të mërkurë, një shenjë që situata në gjashtë reaktorët po bëhet gjithmonë e më e vështirë për t’u kontrolluar.
Centrali bërthamor pësoi dëmtime të rënda nga një tërmet i shoqëruar nga një tsunami i fuqishëm në mars 2011.
Ndonëse kriza fillestare u vendos nën kontroll, lënda radioaktive nuk është spostuar asnjëherë prej reaktorëve jofunksionalë dhe në dy vjet, uji radioaktiv është grumbulluar në sasi të tilla, sa që ka filluar të tejkalojë shtresat mbrojtëse dhe të përfundojë në det.
Duke rritur në tre nga shtatë maksimumi nivelin e rrezikut, Japonia klasifikon tashmë zyrtarisht situatën si një “aksident serioz”, nga një “aksident” që parashikon niveli i dytë.
Ekziston frika që në ditët në vazhdim, niveli i rrezikut të rritet edhe me një apo dy shkallë, që do të thotë përkatësisht “incident me dëme në perimetrin përreth impiantit” ose “incident me shtrirje të gjerë”.
Përshkallëzimi i krizës në Fukushima është shndërruar në një problem veçanërisht serioz për vetë Tokion dhe komunitetin ndërkombëtar, pasi një rrjedhje radioaktive në det do të dëmtonte jo vetëm ekosistemin, por mund të sillte pasoja të rënda për jetesën në të gjithë rajonin e Azisë Juglindore.
Deri në fund të korrikut, situata në Fukushima reportohej zyrtarisht si tërësisht nën kontroll dhe niveli i rrezikut në shkallën 1, që emërtohet si një “anomali” ose “devijim nga normaliteti”.
Top Channel