
Në ditën e dytë të konferencës “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër” kreu i Partisë Socialiste dhe kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama paralajmëroi një reformë administrative të vendit.
“Planet rregulluese që janë ndërtuar brenda për brenda qyteteve, kanë rezultuar krejtësisht të padobishme në funksion të përmbajtjes së këtyre flukseve që kanë ardhur nga jashtë qytetit dhe që janë stabilizuar rreth e rrotull qytetit. Kjo ka rezultuar fatale qoftë për ndërtimet pa leje, qoftë përsa i përket planeve ose mosplaneve të komunave kufitare”, deklaroi Rama.
Rama tha se një reformë e tillë nuk është sfidë vetëm e mazhorancës së re, por duhet të jetë një sfidë për të gjithë klasën politike në vend për t’i dhënë jetë reformës territoriale.
“Është një sfidë jo e jona, por besoj është një sfidë e gjithë klasës politike sot, e gjithë përfaqësuesve të popullit shqiptar në parlament, për t’i dhënë më në fund jetë reformës territoriale, e cila duhet të çojë në shkurtimin e numrit të njësive vendore në funksion të situatës krejtësisht të re që kemi në vend, pavarësisht politikës, pavarësisht qeverisë”, tha Rama.
Reforma në këtë sektor kërkon numër të cilësuar votash në Kuvend, ku mazhoranca e re ka 83, një më pak nga numri i mandateve për të patur shumicën e cilësuar.
Top Channel