Pentagoni: Gati të sulmojmë Sirinë

27/08/2013 00:00

Forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara janë të gatshme të ndërhyjnë në Siri nëse një vendim i tillë merret nga presidenti Barack Obama.

“Ne kemi zhvendosur forcat në rajon në mënyrë që të përmbushim detyrat tona në rast të një urdhëri të mundshëm nga presidenti Obama. Departamenti i Mbrojtjes ka vënë në duart e presidentit Obama të gjitha mundësitë për çdo vendim të tij. Ai i ka parë ato dhe ne jemi të përgatitur”, deklaroi Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel për BBC.

Hagel tha se ekzistojnë prova të pakundërshtueshme tashmë që tregojnë se në Siri janë përdorur armët kimike.

Të enjten pritet një mbledhje e parlamentit britanik ku do të diskutohet pikërisht Siria dhe opsioni i ndërhyrjes ushtarake. Kryeministri Cameron, i cili shkurtoi pushimet e tij dhe u kthye menjëherë në Londër, tha se ligjvënësit britanikë do të votojnë mbi një mocion për krizën siriane.

Ndërkohë, Franca është shprehur e gatshme për “të ndëshkuar” këdo që qendron pas sulmeve me armë kimike në Siri.

Këtë e konfirmoi vetë presidenti francez. Në një deklaratë për mediat, i pyetur mbi mundësitë e ndërhyrjes ushtarake, Francois Hollande tha se Franca është gati të ndërmarrë cdo veprim për të ndëshkuar përgjegjësit e përdorimit të armëve kimike.

Rusia dhe Kina nga ana tjetër ripërsëritën qëndrimet e tyre kundër ndërhyrjes ushtarake. Moska deklaroi se një ndërhyrje e tillë do të kishte pasoja katastrofike për gjithë rajonin, ndërsa Kina kërkoi uljen e palëve në tryezën e bisedimeve.

Nga ana tjetër, qeveria e Assad-it mohoi përdorimin e armëve kimike. Ministri i Jashtëm sirian, Walid Muallem tha se të tilla pretendime janë të pavërteta. Ai, ashtu si qëndrimi zyrtar i Damaskut, tha se armët kimike janë përdorur nga rebelët.

Të paktën 300 persona, mes të cilëve shumë gra e fëmijë gjetën vdekjen si pasojë e sulmeve me armë kimike në afërsi të Damaskut më 21 gusht. Të hënën, inspektorët e Kombeve të Bashkuara u qëlluan me armë gjatë inspektimit për mbledhjen e provave në njërën prej zonave ku besohet ka ndodhur një sulm kimik.

Në raportin paraprak të tyre u konfirmua përdorimi i armëve kimike, por ashtu sic ishin mandatuar, inspektorët e OKB-së, nuk përcaktuan autorësinë e sulmit.

Përqendrimi i forcave ushtarake amerikane, britanike dhe franceze në rajon

Top Channel