
Pavarësisht se nuk është ulur në karrigen e Kryeministrit ende
zyrtarisht, Edi Rama ka nisur nga puna duke vënë në fokus të axhendës së
tij qeverisëse, çështjet e zhvillimit urban dhe të ekonomisë.
Konferenca dyditore “Shqipëria, gjenerata tjetër”, në ditën e parë trajtoi problematikat që lidhen me çështjet urbane. Që në fillim të fjalës së tij, Kryeministri i zgjedhur Edi Rama tha se vendi është duke vuajtur nga mospasja e një modeli zhvillimi, që e ka futur atë në një situatë alarmante në të gjithë territorin.
Kjo situatë,- theksoi Rama,- është produkti i modelit të zhvillimit të ndjekur në këto vite.
“Jemi në kushtet e një emergjence kombëtare dhe ne jemi të vendosur që gjendjen jashtë kontrollit në territorin e vendit ta trajtojmë si gjendje të jashtëzakonshme dhe ta përballim me të gjitha mjetet e gjendjes së jashtëzakonshme. Ne nuk mundet më të rrimë dhe të presim që inercia e shkatërrimit të potencialeve të mëdha që ka ky vend për t’u zhvilluar nga pikëpamja territoriale, nga pikëpamja sociale dhe ekonomike,të zhbëhen para syve tanë”, tha Rama.
E që kjo situatë të ndryshojë, duke mos mbetur thjesht një ambicje e tija personale dhe e Qeverisë Edi Rama parashtroi zbatimin e një modeli tjetër qeverisje të territorit.
“Do të ndryshojmë edhe modelin e qeverisjes së territorit. Për këtë arsye ne do të përfshijmë në qeverisjen e territorit kapacitete që na ofrohen nga jashtë vendit. Një nga gjërat që ne duam të bëjmë është ta vemë qeverinë e vendit nga pozitat e ndjekësit të zhvillimeve, e ndjekësit impotent të zhvillimeve, siç ka qenë deri më sot, në pozitat e udhëheqësit të zhvillimeve. Duhet të shkrijmë kufijtë e vendosur mes sektorëve, kufijtë e vendosur mes administratave dhe duhet të ndërtojmë një qasje të integruar”, tha Rama.
Arkitektë dhe urbanistë me emër nga vende të ndryshme të botës, përcollën në konferencë në mënyrë të përgjithshme gjetjet nga terreni pas dy ditësh vëzhgimi në zonat informale si në Paskuqan, Kamëz, zonën e ish-Kënetës në Durrës dhe amfiteatrin e këtij qyteti. Ata u shprehen për nevojën e një plani kombëtar të hartuar me një konsultim të gjerë publik.
Ndërsa ministrja e ardhshme e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni deklaroi se ekspertiza ndërkombëtare do të jetë një përqasje e vazhdueshme duke marrë modelet më të mira të rajonit.
“Kjo do të jetë jo vetëm në procesin e hartimit të këtij plani kombëtar, por sigurisht edhe në zbatimin, pa harruar këtu edhe ekspertizën e huaj dhe donatorët dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vërtet kanë kontribuar deri tani dhe do të jenë mbështetës në të gjithë këtë proces”, tha Gjermeni.
Problematikat e forta me shkatërrimin e territorit në të gjithë vendin dhe përpjekja për ta shpëtuar atë nga degradimi akoma më i madh për Edi Ramën është jo vetëm një sfidë, por edhe një bast i madh. Por a do ta fitojnë Edi Rama dhe Qeveria e tij këtë betejë, kësaj here në rang kombëtar, siç ndodhi lokalisht me ndërtimet pa leje të rrafshuara kur ai ishte kryebashkiak? Kjo vlen për t’u parë, pasi sapo është artikuluar vendosmëria për t’i kthyer territorin e zaptuar qytetarëve.
Dita e dytë e konferencës “Shqipëria Gjenerata tjetër” do të përqendrohet në problematikat ekonomike që ndeshet vendi.
Top Channel