SHBA-të i shesin “Apache” Indonezisë

26/08/2013 16:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranuan për herë të parë që t’i shesin helikopterët ushtarakë “AH-64E Apache” forcave të armatosura indoneziane.

Marrëveshja kap vlerën e 500 milionë dollarëve dhe përveç tetë helikopterëve, Indonezia do të përfitojë edhe radarë, trajnim dhe shërbime të mirëmbajtjes.

Lajmi u bë publik gjatë një vizite në Xhakarta të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel, i cili është aktualisht në një tur në Azinë Jug-Lindore.

“Shitja e këtyre helikopterëve të fjalës së fundit të teknologjisë në Indonezi është një shembull i përkushtimit tonë për të ndihmuar këtë vend që të ndërtojë dhe përmirësojë aftësitë e tij mbrojtëse”, deklaroi Hagel në një deklaratë për shtyp.

Ndërkohë, analistët paralajmëruan se vendimi i Uashingtonit për të ndihmuar Indonezinë në forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake mund të shihet me sy të keq nga Kina, e cila ka një konflikt të pazgjidhur për sovranitetin e disa ishujve me Xhakartën zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA