Indi, skema anti-varfëri për 800 mln shtetas

26/08/2013 15:45

Parlamenti Indian është duke shqyrtuar një ligj të debatueshëm, i cili synon të subvencionojë me ushqim 2/3 e popullsisë, që përfshin pjesën e saj më të varfër.

Ministri i ushqimit, Kv Thomas parashtroi planin në Dhomën e UIët të Parlamentit, duke shpjeguar detajet e kësaj skeme.

Praktikisht, propozimi përfshin dhënien e 5 kilogramëve grurë nga ana e shtetit, për secilin prej 800 milionë banorëve të varfër dhe të rrezikuar nga uria të Indisë.

Qeveria lëshoi këtë program një javë më parë, por nuk ka garanci nëse projektligji do të aprovohet, pasi ai ka një kosto tepër të lartë financiare, e cila llogaritet në 23,9 miliardë dollarë amerikanë në vit.

Në një fjalim të rallë në Parlament këtë të hënë, presidentja e Partisë së Kongresit, Sonia Gandhi, i kërkoi ligjvënësve që të aprovojnë këtë skemë, e cila sipas saj do të ketë një rëndësi historike në historinë e vendit dhe luftën e vazhdueshme të tij kundër varfërisë e urisë ekstreme.

India është shteti i dytë më i populluar i botës, pas Kinës, me një popullsi të përgjithshme prej 1,2 miliardë banorësh, kur rreth 70% e tyre konsiderohen në varfëri relative apo ekstreme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA