Berisha komunistçe: Gjithmonë gati!

26/08/2013 00:00

Andrea Stefani – 23 vjet që ndjek me këmbëngulje një strategji të plakur
si edhe ai vetë, atë të akuzimit të kundërshtarëve të tij politikë si
komunistë.

Por ndërsa bën këtë, Sali Berisha, komunisti antikomunist që nuk arriti kurrë të bëhet ish-komunist, nuk e pastron dot zhargonin politik nga sloganet komuniste. Rasti më i fundit ishte ai i pak ditëve më parë, kur ironizonte një thënie të Edi Ramës “detyrat janë tonat, pushteti i popullit”, duke u rrekur ta denoncojë si mbeturinë komuniste. Komunisti Berisha nuk arrin të kuptojë se ndërsa në komunizëm “pushteti popullor” ishte jetik për diktaturën si një mashtrim, për demokracinë liberale ai është jetik si realitet. Dhe në fakt, gjatë 23 vjetëve të karrierës së tij, Berisha ka bërë gjithçka që pushteti të mos jetë i popullit, por të jetë i përqendruar në duart e tij dhe klanit të tij. Në këtë kuptim, ai nuk gënjen aspak kur deklaron se është kundër “pushtetit të popullit”. Por ai nuk mund të përmbajë tërë bagazhin komunist që i djersin pavullnetshëm nga poret e mendësisë së tij, edhe kur bën sikur polemizon kundër komunizmit.

***

Gjithçka që ka thënë e thotë Berisha kundërshtohet edhe nga ato që ka thënë e thotë po Berisha. Akuzon Edi Ramën se po qeveris pa ardhur në pushtet, në një kohë që harron se po bën vetë opozitë duke qenë akoma në qeveri, pra pa kaluar në opozitë! Mund të jetë rasti i parë në historinë e një shteti, ku Kryeministri është njëherazi edhe kryeopozitar. E meqë duhet të kritikojë një qeveri që nuk ka qeverisur as edhe një ditë, shpalos një zell ndjellakeq. Për shembull, u thotë shqiptarëve se qeveria e majtë do ju prishë shtëpitë. E ka fjalën për synimet e qeverisë së re në shkatërrimin e ndërtimeve pa leje, që të shndërruara në epidemi gjatë qeverisjes Berisha, po rrënojnë resurset turistike dhe urbane të vendit. Dhe me mendësinë komuniste të rezistencës ndaj çdo pushteti që nuk është i tij, kërkon të mobilizojë pakënaqësinë e të gjithë shkelësve të ligjit me thirrjen komuniste: Ne duhet të jemi gati! Jo pak shqiptarë e mbajnë mend shumë mirë se e njëjta thirrje si kjo e Berishës, i vinte nga lart edhe në kohën e komunizmit: Për çështjen e partisë dhe popullit të jeni gati! Dhe ata duhet të përgjigjeshin: Gjithmonë gati! Dhe çështja e partisë dhe e “popullit” ishte ajo e shtypjes së popullit. Po Berisha përse e rimerr të njëjtën thirrje komuniste?

 

***

Për shkak të së njëjtës mendësi komuniste. Ka qeverisur 8 vjet rresht dhe sapo është rrëzuar nga pushteti me votë thuajse plebishitare. Një vaki e fundbotshme për të. Sepse kish bërë plane për të qëndruar pafundësisht në pushtet. Kish premtuar të organizonte zgjedhjet më të lira e të ndershme deri më sot. Po të kish fituar do t’i shpallte të tilla. Nuk ia doli dot dhe për këtë shkak, puna ndryshon. Harron premtimin për zgjedhje shembullore dhe nis e shan zgjedhjet që vetë ka organizuar. Ato nuk paskan qenë të mira dhe PS-ja i paska blerë mbi 90 mijë vota që ka marrë më shumë. Dhe çfarë u propozon fanatikëve të vet? I propozon rezistencën kundër qeverisë së zgjedhur më votë. Prandaj lëshon thirrjen komuniste: Të jemi gati!

 

***

Në fakt, bëhet fjalë për rezistencë ndaj ndëshkimit të drejtësisë që po shfaqet në horizont, ndaj projektit të shtetit ligjor ku të gjithë janë barabar para ligjit dhe ku askush (qoftë kryeministër, ish-kryeministër a kryetar opozite) nuk është oruellianisht “më i barabartë” se të tjerët. Pra, nuk është vetëm dëshpërimi autokratik i humbjes së pushtetit pa fund, që e shtyn Berishën drejt konfliktimit me qeverinë e re. Është edhe instinkti i vetëmbrojtjes. Qeveria e tij e “duarve të pastra” u bë qeveria me duart më të zhyera në tranzicion. Por fatkeqësisht për Berishën, shumica e shqiptarëve, madje edhe e ndërkombëtarëve, janë të bindur se ka ardhur koha që lufta kundër korrupsionit të ketë rekorde konkrete. Kjo do të thotë që askush nga qeveria në largim (Kryeministri, ministra, zëvendësministra) nuk mund të jetë mbi ligjin. Kush ka bërë korrupsion, kush ka vjedhur dhe është pasuruar me paratë publike, duhet të përgjigjet para ligjit si të gjithë qytetarët e tjerë. Berisha e ndien rrezikun dhe kërkon të konservojë dukurinë e pandëshkueshmërisë, nga e cila vuan si nga një kancer shteti shqiptar. Nxiton të bërtasë për revansh. Prandaj ka nisur të zhvillojë edhe tezën se gjoja në pushtet kanë ardhur komunistët që do të persekutojnë opozitën. U bën thirrje fanatikëve të jenë gati, në mënyrë që të bllokojë drejtësinë dhe antikorrupsionin me kërcënimin për destabilitet. Është e njëjta taktikë që përdori pasi kaloi në opozitë në vitin 1997, për shkak se kish toleruar, po për qëllime autokratike dhe korruptive, piramidat financiare që grabitën paratë e shqiptarëve. Fatkeqësisht në atë kohë edhe ndërkombëtarët, të shqetësuar për stabilitetin, pranuan të sakrifikohet antikorrupsioni. Por sot jemi në një moment kur tolerimi i krimeve të qeverisjeve të korruptuara, do të ishte vdekjeprurës për shtetin e së drejtës, demokracinë, lirinë dhe projektin europian për Shqipërinë. Sot, shumica e shqiptarëve e hodhën me gjithë kalë kalorësin që nuk donte të zbriste nga kali, për t’i dhënë fund një pushteti që pengonte ndëshkimin e të korruptuarve të tij. Edhe ndërkombëtarët po intensifikojnë mesazhet për nevojën e një lufte të rreptë kundër korrupsionit. Berisha i sheh me tmerr të gjitha këto. Me gjakimin për pushtet e pasuri pa fund rrënoi qeverisjen. Prandaj edhe ra. Me gjakimin për t’i shpëtuar drejtësisë kërkon të rrënojë edhe opozitën, duke e degraduar në rezistencë të qarqeve të korruptuara. Ndaj u drejtohet fanatikëve, të reduktuar në minimum historik, me thirrjen mobilizuese komuniste: Të jeni gati! Dhe shpreson se edhe ata do t’i përgjigjen me verbërinë e turmave enveriste: Gjithmonë gati!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA