Deputetja socialiste Ermonela Felaj ka denoncuar dhënien me koncesion të Portit të Durrësit. Sipas saj, i gjithë procesi është zhvilluar me qëllime elektorale dhe është grabitur prona shtetërore.

Në dalien e saj për mediat, deputetja socialiste ka deklaruar se vendimi për dhënien me koncesion të Portit të Durrësit do të jetë nga vendimet e para, që do të zhbëhet nga Qeveria e re.

Gjithashtu Felaj i ka bërë thirrje edhe Prokurorisë, që të nisë hetimet lidhur me procedurën e ndjekur.

“Jo më larg se në datën 19 gusht, Agjencia e Prokurimeve Publike ka shpallur fituesin e tenderit për dhënien me koncension të Portit të Durrësit. Një tjetër tender, tjetër koncension, tjetër plaçkitje e aseteve publike, dhe mbi të gjitha një proces aspak transparent. Mungesa e plotë e transparencës, por edhe periudha kohore kur u zhvillua ky proces, na bën të mendojmë se ky tender është një procedurë e pastër elektorale, e cila për ne është e papranueshme. Ky vendim do të jetë një prej atyre vendimeve, që do të zhbëhen nga Qeveria e re, qysh në mbledhjet e para të saj. Por, në të njëjtën kohë, dëshirojmë t’i bëjmë thirrje dhe organit të Prokurorisë për të nisur çështjen dhe për të filluar hetimet për grabitje të pronës publike”, u shpreh Felaj.

Top Channel