
Pas takimit me të propozuarin për ministër të Brendshëm, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksander Arvizu, takon një tjetër ministër në kabinetin e ardhshëm qeverisës.
Ai është takuar me të propozuarin për ministër Drejtësie, Zotin Nasip Naço, në selinë e LSI-së. Njoftimi i kësaj partie thotë se Zoti Naço dhe ambasadori Arvizu në bisedën e tyre janë përqendruar në forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e drejtësisë.
Ministri i ardhshëm i Drejtësisë u shpreh gjatë bashkëbisedimit se është e domosdoshme përshpejtimi i reformave të nisura nga ekspertët e Opdat dhe Icitap. Ai është shprehur se lufta pa kompromis kundër korrupsionit në institucionet e drejtësisë është prioritet i qeverisë së re.
Nga ana e tij, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, ka shprehur mbështetjen e SHBA-ve, të cilat sipas tij, do të qëndrojnë gjithmonë pranë të gjitha institucioneve në misionin e rëndësishëm të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Top Channel