Kanë zbritur në Rinas trupat britanike të aviacionit që do të marrin pjesë në stërvitjen më të madhe të organizuar ndonjëherë mes dy forcave ushtarake në vend, “Luani Shqiptar 2013”.

Gjeneral Gjunkshi tha se kjo stërvitje është pjesë e rëndësishme e forcave të armatosura shqiptare, ndërsa ambasadori britanik në Shqipëri u shpreh se pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe kudo në Europë ka vetëm një armik: terrorizmi.

Gjeneral Gjunkshi deklaroi: “Stërvitja do të përfshijë një numër të madh anijesh, helikopterësh dhe avionësh luftarakë. Qëllimi i kësaj stërvitjeje është kryerja e operacioneve të zbarkimit, transportit dhe evakuimit duke angazhuar forcat të detit dhe ajrit.”

Nga ana e tij, Nicholas Cannon, theksoi: “Përgjatë pjesës më të madhe të historisë së NATO-s, kërcënimi kryesor erdhi nga sistemet diktatoriale. Që nga rrëzimi i komunizmit në Europë, kërcënimi kryesor tashmë vjen nga terrorizmi, ekstremizmi fetar dhe përhapja e armëve të shkatërrimit në masë.”

Stërvitja që do të zgjasë 13 ditë do të zhvillohet në disa pika ushtarake të vendit, Zall-Herr, Kuçovë, Sazan, Karaburun, Bizë dhe Selenicë.  

Top Channel