Sandër Lleshi, këshilltar i Ramës

23/08/2013 00:00

Sandër Lleshi, Gjenerali i liruar nga detyra vetëm pak javë më parë nga
Presidenti Bujar Nishani do të jetë Këshilltari për Mbrojtjen i
Kryeministrit të ardhshëm Edi Rama.

Lajmi në fjalë është bërë i ditur nga vetë Rama, i cili me anë të një njoftimi të publikuar në Facebook ka vlerësuar figurën e Lleshit si një prej personave të parë që denoncoi, sipas tij, rrenimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Rama më tej shton se për herë të parë emrin e Gjeneral Sandër Lleshit e ka dëgjuar nga shkrimtari Ismail Kadare, i cili ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më pare.  
“Pas disa komunikimesh kuptova besoj, arsyet pse shkrimtari i shquar e kishte menduar si president të denjë për vendin këtë gjeneral të panjohur. I edukuar në perëndim, njohës i mirë i historisë dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i fushës jo vetëm nga librat po edhe nga rrugëtimi i një karriere të gjatë – nisur si fëmijë i një familjeje të varfër nga veriu në derën e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe ndërprerë brutalisht në pozicionin e zëvendës Shtabit të Përgjithshëm nga arroganca e injorancës së pushtetit në ikje -, Sandër Lleshi ka pranuar të jetë këshilltari im për mbrojtjen në Kryeministri,” mbyll njoftimin e tij Kryeministri i ardhshem Edi Rama.

Top Channel