Pas disa propozimeve të dështuara për reduktimin e kostove të transferimit, si ai i parave plus Coentrao për Bale, Reali ka formuluar atë që do të jetë oferta e tij përfundimtare për yllin e Tottenham.
Ndonëse është përfolur se klubi spanjoll do të paguante 100-110 milionë euro për uellsianin, presidenti Florentino Perez ka vendosur se nuk është i gatshëm të shndërrojë 23-vjeçarin në blerjen më të shtrenjtë të historisë.
Kështu, Reali ka formuluar një ofertë që duket se është përfundimtarja, 90 milionë euro për Tottenhamin, që duhet të vendosë të pranojë ose të refuzojë një herë e mirë.
Blerja më e shtrenjtë e historisë është ajo që Reali bëri me Cristiano Ronaldon, i cili i kushtoi 94 milionë euro arkave të klubit dhe në Madrid, çmojnë se pavarësisht cilësive të jashtëzakonshme të Bale, ai nuk mund të tejkalojë këtë shifër.
Me këtë ultimatum, Reali beson se ka shanse të mira që t’ia dalë mbanë qëllimit, për dy arsye kryesore.
E para, vetë Bale i ka bërë të qartë klubit të tij dëshirën e panegociueshme të kalimit në Madrid.
Arsyeja e dytë, Tottenham ka shpenzuar mbi 100 milionë euro në përforcime, duke afruar lojtarë cilësorë si Paulinho, Soldado, Ë illiam, Capoue dhe mbase edhe Lamela.
Një shpenzim i tillë, pa arkëtime të mëdha nga shitjet e lojtarëve deri tani, vështirësisht do të ishte i përballueshëm për arkat e Tottenhamit, ndaj klubi mund të ketë edhe një arsye financiare, që ta detyrojë në shitjen e uellsianit.
Top Channel