F1, Raikkonen, “çelësi” i merkatos së pilotëve

23/08/2013 13:30

Kimi Raikkonen është vendosur në qendër të të gjithë zërave të merkatos së Formulës 1, për sezonin e ardhshëm.

Finlandezi, i cili pas rikthimit në garën më popullore në botë të automobizlimit pas dy vitesh të kaluara në reli, ka treguar një formë të shkëlqyer dhe veçoritë e tij kontraktuale e bëjnë të jetë tepër i lakmuar nga disa skuadra.

Kështu, Kimi ka mbi “tavolinë” një propozim të Lotusit për të rinovuar kontratën, por 33-vjeçari po merr ende kohë dhe nuk ka dhënë garanci nëse do të firmosë ose jo.

Nga ana tjetër, me largimin e Webberit në fund të sezonit, ai është shndërruar në një objektiv të natyrshëm për Red Bull.

Një javë më parë, përfaqësuesi i pilotit refuzoi këto zëra, duke thënë se nuk ka shanse për kalimin në skuadrën austriake, por shtoi se ka pasur bisedime dhe se ato nuk janë konkretizuar.

Sipas disa burimeve, këto negociata kanë rinisur edhe një herë të fundit përpara se Red Bulli të shpallë emrin e pilotit që do të konkurrojë me Vettelin brenda skuadrës, në sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, duket se ish-kampioni i botës me Ferrari ka ngjallur edhe interesimin e McLaren Mercedes dhe vetë Mercedesit, që e shohin si një kandidat potencial për t’i besuar një njëvendëshe në sezonin e ardhshëm.

E së fundmi, edhe ajo që do të ishte alternativa më e bujshme. Nëse Ferrari nuk do të konfirmojë Massën për në sezonin e ardhshëm, Raikkonen mund t’i drejtohet një kalimi për tek ish-skuadra e tij, duke u bërë shok skuadre me Alonson.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA