
Për herë të parë pas shumë muajsh, ministri në ikje i Financave ka folur publikisht mbi gjendjen financiare të Qeverisë.
Duke komentuar ecurinë e 7 muajve të parë të vitit, Ridvan Bode tha se Qeveria nuk po lë pas tokën e djegur, po u dorëzon socialistëve një buxhet që ka respektuar kufijtë e vendosura nga ligji.
“100 për qind e asaj që ka ndodhur në ekzekutimin e financave publike është në përputhje të plotë me ligjin. Fakti që në 7 muajt e parë, në një vit elektoral, të mos ketë asnjë lloj devijimi, asnjë lek cënim nga trendi i programuar i buxhetit do të thotë që kapaciteti për të administruar me disiplinë fiskale është në nivelin e duhur”, tha Bode.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në 7 muajt e parë të vitit, Qeveria e ka shkelur kufirin e programuar të defiçitit me 4 miliardë lekë.
“Këto 4 miliardë lekë është shkaktuar nga dificiti i krijuar nga pushteti vendor, i cili ka realizuar 6.4 miliardë lekë të ardhura në këtë periudhë dhe ka shpenzuar 17.5, një tejkalim prej 11.8 miliardë lekësh”, tha Bode.
Por ndonëse formalisht rezulton me një tejkalim prej vetëm 4 miliardë lekësh ndaj planit, Qeveria ka konsumuar gati 80 për qind të shifrës vjetore të defiçitit. Kjo për shkak se e ka programuar pjesën dërrmuese të huamarrjes në gjysmën e parë të vitit, duke i lënë Qeverisë që vjen katër herë më pak hapsirë për të marrë borxh. Zoti Bode nuk e pranon se kjo është bërë për qëllime zgjedhore, por thotë se ka logjikë ekonomike.
“…dhe kjo për dy qëllime, edhe për qëllim të menaxhimit më të mirë të blerje të depozitave të qytetarëve të KESH-it për qëllime të mirëfillta të interesit buxhetor që të kemi një kosto sa më të ulët të buxhetit, por e dyta ka një arsye të mirëfilltë ekonomike,që këto para sa më shpejt të investohen, aq më shumë japin impakt pozitiv në rritjen e ekonomisë gjatë vitit, por edhe në taksat që mbledhin në buxhet”, tha Bode.
Por edhe këto shifra nuk e pasqyrojnë gjithë realitetin. Shkurtimi i sforcuar i investimeve ka krijuar një tjetër shqetësim, atë të faturave të papaguara ndaj biznesit.
“Janë 7 miliardë lekë që kanë një vonesë disaditore, kur të ardhurat mujore janë 30 miliardë, 7 miliardëshi do të thotë që ka një diferencë që është 6-7 ditë. Duke qenë se disa shpenzime janë me prioritet, kjo vonesë për këto lloj faturash është edhe më e madhe, sepse pagat, pensionet dhe disa shpenzime të tjera nuk mund të presin, ndodh që kjo kategori të ketë një vonesë dyjavnore. Në vitin 2005, që nuk kishte as probleme të presionit të krizës globale ka qenë vonesa në muajin shtator, 21 ditë”, thotë Bode.
Nese do të llogariten edhe këto detyrime të njohura por të pashlyera shifra e deficitit shkon në 54 miliardë lekë, ose sa 90 për qind e gjithë kufirit vjetor. Kjo do të thotë se për 5 muajt e mbetur, Qeveria e re do të ketë në dispozicion, vetëm 6 miliardë lekë hapsirë për huamarrje ose 10 herë më pak se sa borxhi që mori Qeveria në ikje deri në fund të korrikut.
Top Channel