Vilat e Durrësit i hiqen Gardës

22/08/2013 19:50

Pas heqjes së Shtëpisë së Ushtrisë në Tiranë e Fier nga listat e pronave të Ministrisë së Mbrojtjes, qeveria merr vendim edhe për një tjetër pronë shtetërore.

Këtë herë në Durrës dhe bëhet fjalë për të ashtëquajtuarin blloku i vilave qeveritare. Kjo pronë ka qenë në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe e specifikuar për Gardën e Republikës. Në mbledhjen më të fundit të qeverisë, në faqen e Këshillit të Ministrave është publikuar një vendim ku thuhet se “në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, të ligjit nr.8743 “për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi heqjen nga lista e inventarit të pronave në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Brendshme, për Gardën e Republikës, reparti 322, Grupi Durrës, që i bashkëlidhet vendimit nr.815, datë 29.11.2007, të Këshillit të Ministrave, të sipërfaqes prej 33 838 (tridhjetë e tre mijë e tetëqind e tridhjetë e tetë) m2, të ndodhur në zonën kadastrale 8518, Durrës.  

Por, vendimi që ngarkon ministrin e Brendshëm dhe kryeregjistruesin e pasurive të paluajtshme të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e tij është i paplotë. Ai nuk sqaron se përse kjo pronë hiqet nga specifikimi “për Gardën e Republikës”, në një kohë që kjo e fundit mban ende një seri objektesh të tjera shtetërore.  

Vendimi që ngre pikëpyetjen e madhe për një sipërfaqe prej rreth 34 mijë metër katrorë në bregdetin e Durrësit, në zonën bregdetare që ka qenë me përdorim të kufizuar vetëm për drejtuesit e shtetit dhe punonjësit e Ministrisë së Brendshme, nuk specifikon as nëse kjo pronë do të mbetet shtetërore nën varësi të Ministrisë së Brendshme apo i kalon një institucioni tjetër, apo nëse ky vendim pritet të pasohet nga të tjerë që ndryshojnë destinacionin si shtetëror të sipërfaqes prej rreth 3 ha e gjysmë në zonën bregdetare të Durrësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA