Kukësi e Skënderbeu humbasin, korçarët me shpresa

22/08/2013 22:30

Ëndrra e një Kukësi të shkëlqyer duket se do të ndalet vetëm një hap larg kualifikimit në fazën e grupeve të Europa League, pasi, pavarësisht dëshirës dhe rezistencës së mrekullueshme në Tiranë, turqit e Trabzonsporit arritën të fitonin me rezultatin 0-2.

Djemtë e Cungut, të vendosur në mënyrë të shkëlqyer në fushë, pavarësisht rezultatit, nuk u treguan asnjëherë inferiorë dhe krijuan raste të shumta për shënim, por u ndëshkuan në dy episode të veçanta në secilën pjesë, në një ndeshje ku miqtë treguan epërsinë në cilësi, por mbi të gjitha më shumë përvojë në të tilla kompeticione.

Pavarësisht atmosferës së nxehtë, të mbi 10 mijë tifozëve të pranishëm në stadium, në fushën e lojës, futboll luan skuadra turke, ndërsa Kukësi, herë pas here, tenton t’i prishë rrjedhën. Rastet janë të pakta për skuadrën tonë, ndërsa krahu i djathtë fut ujë.

Pas një dominimi relativ të kontrollit të topit, pas nisjes së lojës në stadiumin “Qemal Stafa”, Trabzonspori shfrytëzoi një depërtim deri në zonë, në të cilin Brahja, i pafat, preku topin me dorë në rrëshqitjen, që synonte të bllokonte rrezen e pasimit.

Nga pika e bardhë e 11-metërshit, në të 31’, Mierzejewski goditi fort në qendër, duke shmangur portierin Halili, një prej heronjve të kualifikimit të deritanishëm të Kukësit, që u hodh në krahun e majtë.

Pas këtij goli, skuadra e Kukësit sërish reagon pak, pasi kundështari thuajse nuk i lë të afrohen deri te zona, e jo më të godasin portën.

Pjesa e dytë nuk ishte shumë e ndryshme nga e para, në këndvështrimin e rasteve dhe lojës. Kukësi vazhdoi të realizonte një lojë fizike, të bazuar mbi presingun dhe moslënien e kundërshtarit që të luante, por Trabzonspori, falë edhe cilësisë më të lartë të lojtarëve, u paraqit solid në 20 metrat e fundit të fushës, duke kufizuar tanët në shumë pak depërtime dhe raste të rrezishme.

Ndërsa goli i dytë, përsëri nga një episod, kur pas një gjuajtje nga 20 metra në minutën e 68’, topi i grushtuar mjeshtërisht nga Halili u zotërua brenda zonës nga një futbollist turk, i cili krosoi për brazilianin Henrique, që realizoi me kokë nga pranë.

Pavarësisht këtij rezultati, që lë Kukësin me shanse praktikisht vetëm matematikore për kualifikimin në fazën e grupeve, skuadra verilindore gjithsesi ka bërë historinë, duke u shndërruar në skuadrën e parë shqiptare, që kualifikohet në tre ture të një kompeticioni europian, pas eliminimit më parë të estonezëve të Flora Tallinit, boshnjakëve të Sarajevos dhe ukrainasve të Metalurg Donetskut.

Për të ardhur keq, vetëm rastet e përsëritura të hedhjes së sendeve të forta në fushë, që e bëjnë Kukësin të rrezikojë një gjobë të majme nga UEFA.

Gjithsesi, këtë verë, me këtë shembull të skuadrës veriore, ne kuptuam se futbolli ynë, nëse është i ndershëm, të paktën ka një nivel më të lartë se thjesht turi i parë dhe i dytë i Champions-it apo Europa League.

Ndërkohë, skuadra tjetër shqiptare, që luan në fazën e “play-off”-it të Europa League, Skëndrbeu, është mundur 1-0 nga skuadra ukrainase e Chernomorets, ku akvivizohen dy lojtarët shqiptarë, Kristi Vangjeli dhe Elis Bakaj.

Skuadra korçare zhvilloi një lojë shumë të mirë mbrojtëse, pavarësisht pësimit të një goli, i cili duhet thënë se ishte një supergol i shënuar nga Guy në minutën e 76’, për të cilin nuk mund të bënte asgjë portieri i Skënderbeut, Shehi.

Rezultati i arritur i mban ende në lojë korçarët për ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet pas një jave në “Qemal Stafa”. Më 29 gusht do të luhet edhe takimi i kthimit Trabzonsport-Kukësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA