
Instituti i Statistikave raporton se punësimi në ekonomi po bie me ritme të shpejta, veçanërisht gjatë vitit të fundit.
Sipas INSTAT shkalla e punësimit, treguesi që mat numrin e të punësuarve ndaj personave në moshë pune, ra nga 58.8 për qind në tremujorin e parë të vitit të kaluar, në 54.1 për qind në mars të këtij viti. Kjo do të thotë se gati në çdo dy veta që janë me moshë 15 deri në 64 vjec, në Shqipëri punon vetëm njëri.
INSTAT thotë se shkaku i rënies së punësimit në ekonomi lidhet me krizën në sektorin e ndërtimit. Por paralelisht shifrat tregojnë edhe një tjetër tendecë negative në treg. Atë të rritjes së shpejtë të numrit të dekurajuarve. Sipas INSTAT numri i personave që kanë reshtur së kërkuari punë, pasi besojnë se nuk mund ta gjejnë një të tillë u rrit nga rreth 25 mijë në tremujorin e parë të vitit të kaluar në rreth 100 mijë këtë vit.
Për shkak se këta individë nuk mbahen parasysh kur llogaritet norma zyrtare e paunësisë, rritja e fortë e deformuar shifrën e papaunësisë duke e ulur këtë tregues artificialisht. Edhe pse qeveria thotë se papunësia zyrtare në shqipëri nuk u rrit, shifrat tregojnë se pasojat e krizës në tregun e punës kanë qenë të forta. Jo vetëm në uljen e numrit të punësuarve ndaj totalit të popullsisë por edhe në tregun e pagave, të cilat vitin e kaluar ranë për herë të parë që nga 2006.
Sipas Bankës së Shqipërisë, mesatarisht pagat u ulën me 4.1 për qind, por e kombinuar me shtrenjtimin e kostos së jetesës rënia reale është mbi 6.5 për qind ose gati një pagë në vit. Përtej shifrës zyrtare të papunësisë që mbahet artificialisht e ulët rezultati i krizës në Shqipëri ka qenë më pak njerëz të punësuar dhe më pak të ardhura nga pagat. Në një ekonomi që mbi 2 të tretat e saj i mbështet tek konsumi ky është kombinimi më i keq.
Top Channel