“SHQUP për interesa private”

21/08/2013 00:00

Kalimi i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në përdorim subjektit politik
Partia Demokratike, është i lidhur me interesa private ndërtimore në
këtë truall.

Eshte deputeti socialist Taulant Balla qe deklaron se pas procedurave te ndjekura per tjetersimin e kesaj prone te Ushtrise, qendrojne interesa te dyshimta biznesi te drejtuesve te qeverise ne ikje.

“Më shumë se sa për nevoja të përdorimit të kësaj ndërtese dhe të kësaj prone nga subjekti politik, Partia Demokratike, këtu ka interesa biznesesh ndërtuese, të cilët duan të përdorin një pjesë të sheshit apo edhe të pronës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë për interesa ndërtimi, po të kemi parasysh edhe pozicionin e saj mjaft të volitshëm dhe po të kemi parasysh një vlerësim që i është bërë nga ekspertë të vlerës së kësaj prone dhe të truallit të lirë të ndërtimit brenda kësaj prone. Mbi 20 milionë euro është vlerësuar nga ekspertët vlera e truallit të lirë për ndërtim brenda kësaj prone”, tha Balla.

Balla i shton kesaj deklarate, argumentin se trualli i SHQUP, qe eshte kufitar me ate ku do te ndertohet xhamia e re e Tiranes, por qe leja per te cilen eshte bashkëshoqeruar edhe me ndertimin e nje qendre tregtare, pritet te vihet ne funksion te tij, si parkim apo edhe per ndertim.

Deputeti socialist i shton ketij argumenti nje tjeter fakt qe provon arsyen e vertete te dhenies se SHQUP, Partise Demokratike. Kjo godine ne kundërshtim te plote me ligjin, thote ai, i eshte dhene nga Ministria e Mbrojtjes, Ministrise se Brendshme, ne nje kohë qe ligji parasheh Ministrine e Ekonomise si zotëruese te pronave shteterore.

“Ministria e Ekonomisë është pronari-shtet mbi pronat. Nuk mund të lidhë kontratë huamarrje,apo huadhënie, apo qiramarrje një institucion tjetër shtetëror në marrëdhënie me të tretë, përveç Ministrisë së Ekonomisë”, tha Balla.

Ky kalim i kësaj prone në shkelje të ligjit, nën varësi të Ministrisë së Brendshme, i hap rrugën trasferimit të saj tek Bashkia e Tiranës, shton Balla.

Vetëm me dhënien e truallit për ndërtim shpjegohet zinxhiri i shkeljeve të rënda ligjore që nisi që nga dekreti i presidentit, i cili firmosi për shkëputjen e saj nga lista e pronave të ushtrisë. Përveç se nuk ishte proopozuar siç ligji e kërkon nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, thotë Balla, ky veprim i kreut të shtetit shoqërohet edhe me një tjetër shkelje: “Flitet për një dekret të presidentit, por Presidenti i Republikës në marrëdhënie me Shtabin e Përgjithshëm është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe si i tillë mund të kundërfirmosë dokumenta dhe vendime.”

E gjithë rruga e ndjekur ka hijen e fortë të dyshimit për destinacionin final të SHQUP-it, thotë Taulant Balla, duke kundërshtuar edhe argumentimin e kryeministrit në detyrë, Sali Berisha, se kjo godinë kishte humbur funksionin e saj, duke ngritur pyetjen se nëse ishte kështu, përse ky truall nuk iu bashkua listës së gjatë të pronave që i janë hequr ushtrisë në gjithë këto vite apo përse nuk iu dha Gjykatës së Lartë ose institucioneve të tjera që e kishin kërkuar si rezidencë. 

Për të gjitha këto, Balla thotë se duhet një hetim i thellë dhe i plotë, duke siguruar se çdo shkelje ligjore me pronat e ushtrisë do të zhbëhet.

Top Channel