
Ambasadorit i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, deklaroi se Shqipëria ka shumë shanse të marrë statusin e vendit kandidat në një kohë të shkurtër.
Duke folur para të rinjve të LRI-së në Akademinë Verore për Politikën në Jalë, Sequi tha se ka disa lëvizje interesante në drejtim të përmbushjes së kritereve të kërkuara nga BE-ja dhe se me angazhimin e duhur proceset integruese mund të marrin një hov të madh.
“Siç e dini, për të marrë statusin e vendit kandidat ne kemi kërkuar një sërë kriteresh, njëra prej të cilave ishte edhe aprovimi në Parlament i tre ligjeve që fatmirësisht u bë para zgjedhjeve të 23 qershorit”, tha Sequi.
Sipas tij, BE ka kërkuar edhe disa angazhime sa i pirjet luftës kundër korrupsionit dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe kjo është pjesë e kapitullit më të rëndësishëm. “Në këtë drejtim nuk është se kemi shumë kohë për të parë rezultate, por gjithsesi shoh se ka disa lëvizje interesante. Mendoj se me angazhimin e duhur dhe me ndërmarrjen e shpejta të disa veprimeve, shanset janë shumë të larta sa i përket marrjes së statusit”, theksoi shefi i delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë.
Në ditën e dytë të aktivitetit të organizuar nga LRI-ja në Jalë, Ettore Sequi ka referuar në seminarin me temë “Çfarë përfaqëson BE për Shqipërinë dhe sfidat e menjëhershme për Tiranën”.
Top Channel