Familjarët e personave të pagjetur i dërgojnë letër Këshillit të Sigurimit. Ministri Enver Hoxhaj dhe Kryeministri Hashim Thaçi do të marrin në dorë një kërkesë të familjarëve të të pagjeturve, letër kjo që kërkohet të lexohet më 29 gusht në Këshillin e Përgjithshëm të Sigurimit të OKB-së, që mbahet vetëm një ditë para ditës ndërkombëtare për personat e pagjetur.

Sipas familjarëve, kryeministri Thaçi u ka premtuar që nëse Daçiç lexon një të tillë, do ta bëjë edhe ai.

Bajram Qerkini, i cili është udhëheqës i Shoqatës së Mitrovicës “Zëri i Prindit”: “Ata duhet ta marrin një vendim me iniciativën e Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, duhet të thuhet se me të vërtetë në Kosovë po shkelen të drejtat elementare të njeriut. Kjo është një shkurtesë që ka veç një faqe dhe do t’i jepet me shkrim kryeministrit dhe ministrit.”

Ndërsa, kreu i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj, ka thënë se ata kërkojnë që të bëhet trysni tek autoritetet serbe që ata të tregojnë ku ndodhen të zhdukurit: “Faktorët kryesor në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur pikërisht janë institucionet serbe sepse kanë të dhëna e informacione dhe derisa nuk kanë ndonjë trysni apo kushtëzim sigurisht që do të vazhdojnë të mbajnë fshehur vendndodhjen e varrezave masive, të cilat kemi informacione të shkapërderdhura dhe po punojmë pa ndërprerje për mbledhjen e tyre dhe gjetjen e të zhdukurve.”

Më 30 gusht në Prishtinë do të bëhet zbulimi i pllakës me emrat e të pagjeturve që deri më tani kanë qenë fotografi të vendosura në rrethimin e Kuvendit të Kosovës. Kështu, të dhënat tyre do të jenë në mënyrë elektronike për 1 mijë e 730 të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Top Channel