
Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjet e fundit në Përmet dhe në Gjirokastër.
Duke kërkuar që ngjarjet të analizohen sipas fakteve me gjakftohtësi dhe vetëpërmbajtje dhe në kontekstin në të cilin ato ndodhin, Ministria ka bërë një përshkrim të asaj çfarë ka ndodhur në dy qytetet respektive.
“Në mbrëmjen e datës 19 gusht, u thirr në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke zëvendës ambasadorja shqiptare në Athinë znj Ermira Braho.Gjatë takimit pala greke paraqiti shqetësimin lidhur me dy incidente, në Përmet si dhe goditjen me gurë të Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë në Gjirokastër. Në vijim, diplomatja shqiptare në Athinë, ka sqaruar se te dhënat zyrtare flasin për situata të ndryshme.Sipas informacioneve zyrtare, në datën 19.08.2013, disa besimtarë ortodoks janë afruar tek godina e Shtëpisë se Kulturës në Përmet duke çarë rrethimin e forcave të policisë private, dhe pasi kanë hequr materialet rrethuese janë futur brenda në këtë objekt. Më tej, dy besimtarë ortodoks janë paraqitur të plagosur në Spitalin Civil të Përmetit. Autoritetet përkatëse shqiptare kanë marrë në pyetje shtetasit në fjalë, për të sqaruar rrethanat e plagosjes së tyre, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të shpjegojë asnjë rrethanë hetimi. Lidhur me sulmin me gurë të pretenduar, rezulton se në oborrin e Konsullatës ka rënë një gur i përmasave relativisht të vogla, që sipas hetimeve paraprake, mendohet se ka rënë si pasojë e fërkimit me gomën e ndonjë makine”, thuhet në deklaratën për media.
Top Channel