
Ndërsa kryeministri Berisha do të drejtojë, në orën 11 të së mërkurës, mbledhjen e radhës së qeverisë në detyrë, kabineti i ri qeveritar i së majtës do të mblidhet në Vlorë.
Pikërisht në qytetin bregdetar, ku kryeministri i zgjedhur Edi Rama mori mandatin e deputetit, ai do të drejtojë të parin takim me të propozuarit e mazhorancës së re si ministra të kabinetit qeveritar, që do të qeverisin vendin këtë mandat.
Burime nga selia rozë konfirmuan për Top Channel se, takimi me ministrat e rinj do të nisë në mesditë, në orën 12, në një ambient privat pranë zonës së Ujit të Ftohtë.
Pasi kanë zhvilluar nga një takim me ministrat respektivë, secila nga dy partitë më të mëdha të së majtës, PS e LSI, për herë të parë nën drejtimin e kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, do të zhvillohet takimi i kabinetit të plotë të ardhshëm.
Ministrat e propozuar nga LSI pohojnë gjithashtu se do të jenë në këtë takim të parë me kryeministrin e zgjedhur Rama.
Programi qeverisës i të majtës, vendosja e piketave të drejtimit të vendit, kontributi i çdo ministri dhe i çdo dikasteri, por edhe çështje të brendshme të koalicionit qeverisës, bashkëpunimit dhe koordinimit të partive në qeverinë Rama, mësohen se do të jenë në qendër të takimit, që do të zgjasë dy ditë, në qytetin bregdetar të Vlorës.
Nga takimi, që është pohuar nga selia rozë se do të jetë i mbyllur për mediat, pritet të mësohen edhe detyrat e para të qeverisjes Rama, një nga të cilat, siç është pohuar tashmë, “vënia nën kontroll e territorit nga ndërtimet pa leje”, pritet të detajohet në këtë takim të parë të kabinetit të ri qeveritar, të drejtuar nga Edi Rama.
Top Channel