Lëvizja Rinore për Integrim ka organizuar, për të pestin vit radhazi, një aktivitet në bregdetin e Jalës në Vlorë.
Qindra të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria, anëtarë dhe simpatizantë të Forumit Rinor të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë zbarkuar tashmë në këtë kamp rinor, ku aktivitetet politike, kulturore dhe argëtuese janë të gërshetuara mjaft mirë, si dhe do të jenë në fokusin e 6 ditëve të ardhshme të qëndrimit në bregdetin përrallor jonian.
Në takim morën pjesë edhe drejtuesit e LSI-së, si dhe dy ambasadorët, Arvizu dhe Sekui. Ambasadori amerikan, në fjalën e tij mbajtur para të rinjve, foli për nevojën e luftës ndaj korrupsionit, sundimit të ligjit dhe rritjes së ekonomisë së vendit, ndërsa përmendi edhe çështje të zgjedhjeve.
“Shtetet e Bashkuara kanë shpresë se, rezultati i këtyre zgjedhjeve tregoi shumë qartë, ashtu si dhe shqiptarët apo votuesit shqiptarë treguan shumë qartë, përmes këtyre zgjedhjeve, se çfarë drejtimi duan ata, që vendi të marrë”, tha Aleksandër Arvizu.
Kreu i LSI-së vlerësoi rolin e të rinjve të LRI-së.
“Unë besoj se suksesi ynë ka ardhur, sepse kemi qenë një forcë politike me këmbë në tokë. Është shumë e rëndësishme, edhe pas këtij suksesi, të vazhdojmë të qëndrojmë fort me këmbë në tokë, që do të thotë se arroganca, siç u konfirmua edhe nga zgjedhjet e 23 qershorit, nuk është forcë por dobësi, sidomos e atij, që mendon se është në pushtet dhe që ka pushtet ndaj të tjerëve”, theksoi Ilir Meta.
Top Channel