Qamil GJYREZI – Kur e pyeti mbas çlirimit Enver Hoxha, Tuk Jakovën, se a ka shkodranë të përgatitur për t’u përfaqësuar në dikastere në Tiranë, Tuku iu përgjigj shkurt, se ka shumë pak ose nuk ka fare!? Kjo thënie “e dëgjuar goja-gojës” tregon nivelin shpirtëror, egon individuale dhe të rrethit të tyre, të “disa shkodranëve” në vite, kryesisht të politikës, mungesën e vizionit dhe largpamësisë, për të mos promovuar “konkurrentë” ose “të ditur”, brenda “llojit” ose krahut politik.
Dihet më vonë edhe fundi i Tuk Jakovës, që nuk kam ndërmend ta analizoj në këtë shkrim. Njeriu nuk lind i keq, ai bëhet i keq, kështu pretendonte Frojdi, babai i psikoanalizës. Edhe për mua individët politikë, “projektuesit” e situatës së “keqpërdorimit” të pushtetit mbas vitit 2005 në Shkodër, që do t’i përmend më poshtë, në “fillim” m’u dukën të mirë, por më “vonë”, bëmat dhe sjelljet e tyre më detyruan të shkruaj këto rreshta. Nepotizëm, trashëgim pushtetesh dhe klientelizëm ka dhe ka pasur edhe në Europë e rajon, por në botën globale ky fenomen po ulet në mënyrë të ndjeshme. Konkurrenca dhe CV, aftësitë menaxheriale, eksperienca janë kriteret bazë në botën e përfaqësimit politik postmodern. Te ne në Shkodër, sidomos mbas viteve 2005, nuk ishte tamam nepotizëm, por një “klientelizëm-sektar”, me një ego të keqe dhe projekte të qarta, nënvleftësuese dhe hakmarrëse për individë dhe një nivel intelektual të caktuar, duke diskriminuar një grup individësh me kontribute të caktuara në politikën e PD-së dhe qytet, në rang lokal e kombëtar dhe promovuar një grup të afërmish e miqsh të politikanëve nga Shkodra. Mbas vitit 2005, një “dyshe” me nivel të ulët shpirtëror, intelektual dhe mbi të gjitha “dredharak”, Jozefina Topalli dhe Astrit Bushati dhe “soj e sorollopi i tyre”, së bashku me “servilen” pa ideologji, ide dhe vlera Arenca Trashani, ia ulën vlerat e përfaqësimit intelektual Shkodrës në të gjitha nivelet. Shkodra ka shumë burime njerëzore me vlera intelektuale konkurruese. Mbas viteve ’90 pati tentativa për të përmirësuar nivelin e përfaqësimit, por Shkodra e pati të vështirë të krijojë një klasë politike të qëndrueshme dhe bindëse me vazhdimësi, flas kryesisht për PD-në me aleatë, të djathtën. Në superstrukturën e një shteti, burimet njerëzore dhe grupet politike përfaqësuese, luajnë rolin kyç në zhvillimin ekonomik dhe kulturor. Promovimi, prezantimi dhe përfaqësimi i mirë i këtyre burimeve, ndikon në të gjitha planet e zhvillimit. Shkodra ka sot jo vetëm një brez me moshë mbi 30-50 vjeç të shkolluar dhe me nivel intelektual, por Shkodra ka edhe shumë të rinj të shkolluar në shkollat më të mira europiane dhe te ne, të cilëve u është kushtuar dhe po u kushtohet pak vëmendje. P.sh., asnjëherë kryetari aktual i Bashkisë së Shkodrës nuk organizoi një takim me këta të rinj, për t’iu dhënë mundësinë që të njihen me burimet natyrore dhe shpirtërore që ka Shkodra dhe për të promovuar e vlerësuar arritjet e tyre në një panel të caktuar. Edhe në këtë kontekst këta zotërinj dhe zonja përdorin format e tyre vlerësuese e promovuese, të “sektit” të tyre me arsyetimin e tyre amatoresk dhe selektiv, që shpesh nuk është as në nivelin e krahëve politikë, por në atë sektar, preferencial dhe familjar. Do të ishte me vend evidentimi dhe promovimi i niveleve të caktuara të këtyre të rinjve, që shpesh kanë bërë edhe mastera e doktoratura në Perëndim dhe nuk merret kush me ta. Këta zotërinj dhe zonja, drejtues lokalë dhe ish-deputetë, një pjesë me shkolla të mesme e studime postuniversitare të “dyshimta”, merren me disa arritje mesatare të njerëzve të “rrethit” të tyre, duke i promovuar si arritje në nivelin lokal e kombëtar dhe pastaj si rezultat i nivelit të tyre mesatar koston e merr Shkodra, duke u zhvilluar dhe përfaqësuar në një nivel jo dinjitoz intelektual dhe bashkëkohor. Kjo strategji nuk është e rastit. Ajo është e menduar shumë mirë nga qendra “të dukshme” dhe “të padukshme”, me qëllim diskriminimin e vlerave të vërteta, trashëgiminë e pushteteve dhe prezantimin e niveleve mesatare, me qëllime shpesh përjashtuese që janë të futura thellë në mendjet e këtyre projektuesve dhe zbatuesve. Por shkodranët, falë talentit dhe formimit të tyre ia dalin të fitojnë, përparojnë dhe jetojnë pavarësisht pengesave dhe presionit psikologjik të disa individëve të politikës, që janë të përkohshme.
Përfaqësimi i shkodranëve në nivele mediokre intelektuale pas 2005-s, filloi me Parlamentin, që u kthye në një “klub miqsh e shokësh” të Kryetares së Parlamentit, madje përmendej shpesh edhe numri i të “punësuarve”, e që kishte pretendime se përfaqësohej Shkodra. Ky ishte vetëm “imazhi” i rremë, pasi në Parlament ishin shoqet dhe të përzgjedhurit me “shumë takt” të Kryetares së Parlamentit, gjoja me pretendimin se po përfaqësohej Shkodra dhe po ruheshin raportet politike e kulturore. Parlamenti u kthye në një “vatër kulture”, “ministri kulture”, “ministri të jashtme”, falë edhe “paburrërisë” dhe “frikës patologjike” për karrigen të disa ish-ministrave. Në fakt pretendohej se në Parlament po bëheshin shumë ligje dhe shumë aktivitete, por qëllimet e organizatorëve ishin shpesh selektive për disa individë dhe grupe individësh në planin ligjor e kulturor. Asnjë individ nga media lokale e kombëtare, partia ose shoqëria civile nuk e vuri në dukje këtë fenomen, i cili ia prishi pak “imazhin” Shkodrës dhe shkodranëve. Vetëm një gazetar “trim” te gazeta “Standard”, ia pat vënë në dukje, ndërmjet rreshtash të një artikulli zonjës Topalli këtë situatë. Në fakt, pas vitit 2005, dyshja Topalli-Bushati patën një “copë të madhe”, të cilën e shfrytëzuan “deri në palcë”, qeverisjen dhe fondet lokale. Në disa ministri nuk patën shumë hapësirë falë edhe qëndrimit dinjitoz të ndonjë ministri, që nuk ua “varte” shumë. Ata sulmuan institucionet kyçe vendimmarrëse, të cilat i “mbytën” me njerëzit besnikë të tyre. Natyrisht nuk lanë pa shfrytëzuar doganat dhe tatimet, diplomacinë, mediat dhe kryesisht Parlamentin. Gjithmonë prezantimi dhe përfaqësimi i shkodranëve ishte tej mase klanor, “sektar” dhe me një nivel të ulët intelektual, që “ia merrte fytyrën” Shkodrës me traditë, për të realizuar “dëshirat lokale, materiale e shpirtërore” dhe inatet e tyre personale historike, që i kanë thellë në mendje deri në arketip. Topalli, me shumë kujdes, “zaptoi” me takt disa institucione, gjoja në emër të PD-së, me disa “shkodranë të saj”, gjithmonë mediokër, plane, të cilat iu shkatërruan së fundi. Individi, pushtetari nuk duhet të realizojë të gjitha gjërat që “ka në dorë”, kjo është e shkruar edhe në librat e shenjtë dhe është edhe mësim i kohës. Kulmi i mediokritetit dhe nepotizmit pat arritur kur Topalli pat propozuar për ambasadore në Romë në vitin 2005, një shoqe të saj, me nivel mesatar, mësuese e një shkolle të mesme pa eksperiencë në diplomaci. Projektuesit e këtyre politikave që i përmenda në këtë artikull, mendojnë se nuk kanë bërë ndonjë “mëkat” të madh, pasi edhe individët që ata kanë promovuar nga Shkodra pas vitit 2005 në disa institucione dhe dikastere në Shkodër e Tiranë, janë njerëz dhe kanë një kontribut të caktuar politik dhe intelektual. Nëse do të vazhdojmë me këtë “hipotezë” dhe këtë mënyrë të menduari, gjithmonë ajo që do të dëmtohet është Shkodra, e cila di edhe të falë, por edhe të gjykojë jo vetëm me votë, por edhe me gjykim dhe heshtje të ftohë!!! Shkodra të sfidon, me forcën dhe arketipin e saj. Ajo është kryemodele, kurse individët që sillen në këtë mënyrë e që mendojnë vetëm për “tarafin e tyre”, nuk arrijnë të lënë as gjurmë, janë kalues, pa vlerë, siç e ka vërtetuar historia jonë në vite dhe sisteme të caktuara. Në fund po sjell një shembull shumë interesant, tipik klientelist, por të vërtetë. Kryetari aktual i PD-së ishte bërë shumë “merak” së fundi, për një emërim që i kishte “ikur” jashtë kontrollit, në momentin e largimit të LSI-së nga koalicioni me PD-në, për “emërimin” e një drejtoreshe, që ishte caktuar direkt nga Tirana dhe nuk ishte pyetur ai! Si ka mundësi ky lloj mentaliteti dhe kjo mënyrë e të funksionarit të punëve të një partie i futur thellë në vetëdijen dhe të vepruarit të këtyre drejtuesve, të sillte një model tjetër përfaqësimi për Shkodrën, përveç shembujve mediokër me mungesë të nivelit intelektual, pas vitit 2005?! Përgjigjen më të mirë këtyre individëve ua dha Shkodra, në qershor të këtij viti. Kaq mund të bëjë qyteti hëpërhë dhe elektorati shkodran. Këta individë nuk shqetësohen shumë-shumë për humbjen në zgjedhjet e fundit, pasi kanë siguruar një nivel ekonomik dhe nivel pushtetesh dhe “dinë” ta dredhin edhe në opozitë. Tani, në këtë periudhë ndryshimi pushtetesh po përpiqen që të gjejnë “sekserë” për të negociuar me individë dhe qarqe të qeverisë së re të zgjedhur në qershor, për të siguruar aksionet e tyre materiale, shpirtërore dhe njerëzore. Këtë eksperiencë e kam përjetuar dhe provuar personalisht, në vitet 1998-2005, kur komunikonin shumë mirë me “miqtë e tyre” në qeveritë Nano 1 e 2. Hëpërhë u ka mbetur Bashkia e Shkodrës, për ta komanduar, duke harruar misionin e çmuar që ka opozita moderne liberale, siç u shpreh Ettore Sequi para disa ditësh. Nëse do të vazhdojnë me të njëjtin mentalitet si deri tani dhe nuk do të zëvendësojnë individët dhe “modelet”, të cilët i përmenda në këtë artikull, me një “elitë tjetër politike”, me ide dhe projekte të qarta politike moderne për zhvillimin e për Shkodrën, që është disa herë para tyre dhe familjeve të tyre dhe nuk do të jetë kurrë “pronë” e tyre, mendoj se do të jetë elektorati dhe sidomos vetë Shkodra e traditave të mëdha, që do t’i “rigjykojë” me votë në zgjedhjet lokale, në pranverën e vitit 2015.
Top Channel