PD – shtëpi dasmash e ceremonish mortore

17/08/2013 00:00

Ilir Yzeiri – Debati për transferimin e pronësisë së SHQUP-it nga Forcat
e Armatosura te PD-ja ka nxjerrë në reliev edhe një shënjueshmëri
tjetër, përkatësisht atë që ka të bëjë me kulturën dhe memorien
kolektive.

Në Tiranë ka disa shenja që kanë një simbolikë të veçantë dhe një shenjueshmëri komplekse gjithashtu. Për mirë apo për keq, ato janë pjesë e memories sonë kolektive dhe e historisë sonë gjithashtu. Piramida, megjithëse u projektua dhe u realizua si muzeu i diktatorit Enver Hoxha, është një simbol i historisë sonë dhe mund të ruhej edhe me atë shenjueshmëri që kishte.

E përfytyroni se sa do të ishte numri i vizitorëve sot nëse Piramida nuk do të ishte tjetërsuar? Vetëm një bunker dhe një galeri e improvizuar dhe dy faqe nga Muri i Berlinit që janë vendosur pranë Kryesisë së Kuvendit janë i vetmi vend që vizitojnë turistët kur vijnë në Tiranë.

Ata që kanë vizituar Muzeun Historik Kombëtar, besoj se kanë vënë re që aty mungojnë 50 vjet histori. Periudha e socializmit është fshirë nga ky Muze dhe ajo është zëvendësuar vetëm nga pavijoni i dhunës dhe i shtypjes së diktaturës. Ky është një pavijon i çmuar dhe i duhur, por Shqipëria kishte edhe pamjen tjetër, kishte edhe njerëzit që jetonin në këtë vend dhe që punuan dhe ndërtuan.

Socializmi shqiptar është një pjesë e historisë sonë dhe ne fyejmë veten, përçmojmë qenien tonë në qoftë se u tregojmë të huajve se në 50 vjet në Shqipëri kishte vetëm burgje e të burgosur, siç ndodh në Muzeun tonë Historik. Ky është një turp që na fyen të gjithëve. Të mos harrojmë se kur fshijmë nga memoria jonë kolektive 50 vjet jetë, bëhemi një popull idiot dhe mendjeshkurtër. Mirëpo, arkitekti i këtyre monstruoziteteve është një komunist anadollak dhe trutharë që populli shqiptar e flaku si një leckë të keqe me mbi një milion vota më 23 qershor. Akti i tij i fundit për të tjetërsuar SHQUP-in është mes të tjerash edhe në këtë vazhdë. Berisha është politikani më antishqiptar që ka pasur Shqipëria. Me lehtësinë e një budallai dhe me pasionin e një të marri, ai fshin me një firmë pjesë të historisë e të memories kolektive si të ishte një otoman i shekullit XVI. Tani në fund del e deklaron se SHQUP-i ishte kthyer në një vend ku bëheshin vetëm dasma e ceremoni mortore.

Po kush e ktheu SHQUP-in në një vend të tillë? Ti bashkë me ministrin e skrapit. Në vizionin tënd, Akademia e Shkencave është një klub për ngritës peshash, Piramida një vend që mund të kthehet në një nevojtore të madhe publike dhe SHQUP-i një klub për dasma e dreka mortore. Pikërisht se pate këtë vizion për një pjesë të kulturës shqiptare, votuesit të hodhën tej dhe të flakën si leckë. Pikërisht se e shkatërrove vizionin e këtij vendi dhe pse e bëre të pajetueshëm, shqiptarët të flakën tej. Sot Shqipëria është pa filma, pa teatër, pa muzikë. Sot Shqipëria është në ditët më të errëta të zhvillimit të kulturës, sepse këtë vend, për tetë vjet me radhë, ti Sali Berisha, e zhyte në depresion të thellë dhe e ktheve në një klub të madh që di të bëjë vetëm dy gjëra, aheng për dasma dhe dreka mortore për të vdekur. Ndaj për ty, kjo shenjueshmëri që ti ke për SHQUP-in si vend që dallohet vetëm për organizime dasmash e drekash për të vdekur është shenjueshmëria që dallon kuptimin që ke ti për jetën në këtë vend dhe për kulturën në përgjithësi. SHQUP-i, përveçse është i vetmi institucion kulturor i Ushtrisë, është gjithashtu edhe një pjesë e memories kolektive të historisë sonë. Sot, ai vend mund të bëhet një qendër e madhe e përhapjes së kulturës së sigurimit kombëtar dhe në Ballkanin e trazuar, vëmendja për ushtrinë shqiptare jo vetëm që nuk duhet ulur, por duhet rritur ndjeshëm. Pikërisht në këto ditë që Berisha i heq Ushtrisë Shqiptare të vetmin institucion kulturor, mediat njoftojnë se Serbia ka blerë avionë të padukshëm nga Rusia. Ushtria Shqiptare, me të mirat e të këqija e saj, është e shenjtë dhe asetet e saj nuk duhet të preken. Mirëpo, Berisha, jo vetëm që i ka masakruar ushtarakët shqiptarë, por kërkon të fyejë deri në fund edhe kujtesën e tyre kolektive dhe, si pa të keq, do t’i heqë asaj të vetmin vend dinjitoz që i ka mbetur për veprimtari kulturore. Ushtarakët shqiptarë duhet ta kthejnë atë vend në një qendër moderne të kulturës dhe të zbavitjes gjithashtu. Qeveria e re ka marrë mandatin që jo vetëm ta hedhë në kosh atë vendim të qeverisë për SHQUP-in, por të çojë për skrap edhe të gjitha marrëzitë e atij njeriu që shqiptarët e flakën si leckë më 23 qershor.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA