13 gushti i këtij viti shënon 12-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën në Maqedoni mori fund konflikti i armatosur i vitit 2001.

Marrëveshjen e firmosi presidenti i atëhershëm i Republikës së Maqedonisë, tashmë i ndjerë Boris Trajkovski, ish-kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër në atë periudhë, Lubço Georgievski, ish-kryetari i PPD-së, Imer Imeri, kryetari i atëhershëm i PDSH-së Arbën Xhaferi dhe ish-kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski.

Marrëveshja e Ohrit e shpëtoi Maqedoninë nga një konflikt ndëretnik, por jo edhe nga gara mes palës maqedonase që ajo të mos zbatohet dhe asaj shqiptare që të respektohen afatet e parashikuara në të.

Ajo betejë vazhdon edhe sot, kur shumëçka nga marrëveshja, që duhej të realizohej që në vitin 2004, ka mbetur e papërmbushur.

Pra, edhe pas 12 viteve nga nënshkrimi, vazhdojnë debatet për frymën e saj që duhej ta përshkojë tërë Maqedoninë dhe për përmbajtjen që çoi deri te ndryshimet e Kushtetutës së këtij vendi.

Disa analistë shqiptarë thonë se kësaj marrëveshjeje i është marrë fryma qëmoti dhe ajo ka vdekur, gjë të cilën e dëshmojnë projektet monoetnike të kryeministrit aktual Nikolla Gruevski, siç është “Shkupi 2014”, si dhe rrahjet e të rinjve shqiptarë nga huliganët maqedonas në vitet e fundit.

Sido që të jetë, ndoshta më afër së vërtetës janë pohimet se nga kjo marrëveshje më së shumti përfitoi partia shqiptare në pushtet, për të punësuar partizanët e vetë, si dhe maqedonasit etnikë që shpëtuan shtetin të cilin ata e quajnë shtëpinë e vetme të tyre.

Pozitën e pronarit të vetëm të Maqedonisë ata ia dolën ta ruajnë edhe pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, që kishte për qëllim të kundërtën: që të gjithë të ndiheshin pronarë të barabartë të këtij vendi.

Sot, 12 vjet pas nënshkrimit të saj, në Maqedoni jetojnë të njëjtat bashkësi etnike si edhe para 2001-shit dhe thuajse me po të njëjtat pakënaqësi e mosmarrëveshje si para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA