Një rrugicë nga qendra e qytetit të Prizrenit të çon në njërin prej objekteve më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore e arkeologjike të këtij qyteti.
Kalaja e Prizrenit, detinacioni numër një turistik, ndodhet vetëm pak kilometra larg qytetit, në një lartësi mbi 500 metra mbi nivelin e detit.
Pritshmëritë për turistët janë të mëdha teksa ngjitesh rrugicës drejt kalasë. Por, një ndjenjë zhgënjimi bëhet pjesë sa afrohesh pranë portës kryesore.
Restaurimi e ka prekur fare pak, e ndërkaq mirëmbajtja e asaj që ka mbetur prej 3 500 vitesh pothuajse nuk ekziston.
Bimësia e dendur, e mbeturinat të shoqërojnë në të gjithë hapësirën ndërsa edhe ajo pak infrastrukturë e vendosur rrezikon të dëmtohet çdo ditë.
E lënë nën mëshirën e kohës, kalanë e Prizrenit nuk të ndihmon askush ta eksplorosh apo ta kuptosh të kaluarën historike të saj.
Shtigjet të cilat ndajnë tri pjesët e kalasë, qytetin e sipërm, poshtëm dhe atë jugor pothuaj janë fshehur krejtësisht dhe turistët e huaj orientohen si të munden në të duke u kënaqur vetëm me pamjen e qytetit që ju ofrohet.
“Mendojmë se Prizreni është një qytet i bukur. Kemi ardhur ta shijojmë kulturën, ndërsa ushqimi është shumë i mirë këtu, është kënaqësi të qendrosh pranë lumit ndërsa je duke ngrënë ose pirë diçka. Po kështu ishte bukur teksa po ecnim rrugës drejt kalasë dhe tani kemi këtë pamje të bukur të gjithë qytetit. Po, këtu mund të bëhet më shumë, duke nisur nga disa tabela dhe informacione për historinë e kalasë”, deklaroi Helen Parker, një turiste nga Anglia.
“Unë jam nga Spanja. Të gjitha kalatë në Spanjë janë shumë të ruajtura. Kalaja e Prizrenit duket si të gjitha kështjellat, por këtu nuk ka informacione të majftueshme që të kuptojmë për historine e kalasë, çfare ka ndodhur këtu më përpara”, shprehet Damian Marisal, një turist i dytë.
Gjendja e mjerueshme e Kalasë së Prizrenit arsyetohet me mungesën e buxhetit. Një fond prej 3 milionë eurosh i Komisionit Europian nuk ishte derdhur asnjëherë në llogarinë e cila do ta krijonte një ambient të përshtatshëm turistik.
Aktualisht, këtu po bëhen gërmime arkeologjike me fondet e ministrisë së kulturës. Drejtori i muzeut, njëherësh udhëheqësi projektit të restaurimit të kalasë Shafi Gashi premton se vitin e ardhshëm kalaja do të marrë pamjen e merituar.
“Germimet e fundit kane dhene rezultate te reja, behet fjale per nje kala e cila eshte banu qe nga faza e bronzit te vone rreth 1 200 para eres sone, periudha e hekurit. Deri me tani nuk eshte e dokumentuar aq mire, por supozohet qe te kete shtresa kulturore te kesaj periudhe, po sa i perket periudhes romake dhe moderene jane te gjitha periudhat kohore te prezantuara ne periudhen e Prizrenit dhe behet fjale per nje monument qe minimumi ka nje jetegjatesi mbi 3 500 vjet, por shpresojme qe çdo germim të nxjerrë rezultate të reja”, deklaroi Gashi, drejtori i Muzeut të Kosovës.
Nga ana tjetër, edhe Komuna e Prizrenit, nëpërmjet drejtorisë për turizëm së para pak ditësh ka realizuar një projekt në vlerë prej 18 milionë eurosh për ndriçimin e kalasë.
Kalaja e Prizrenit, edhe pse në këtë gjendje jo të mirë që është, vizitohet nga 1 000 turistë në ditë.
Top Channel