Inspektoriati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës ka prishur një ndërtim pa leje në Kodrën e Priftit. Drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor, Florenc Hoxha shprehet se nuk do të tolerojë asnjë ndërtim pa leje.
“Kemi verifikuar disa ndërtime që janë bërë në kundërshtim me ligjin dhe do të jenë objekt i punës sonë në ditët e ardhshme. Ne jemi të vendosur të ushtrojmë forcën e ligjit”, ka deklaruar Hoxha.
Ndërkohë, qytetarët e dëmtuar akuzojnë për prishje selektive, pasi sipas tyre në Tiranë ka një numër të madh ndërtimesh pa leje, por prishen vetëm një numër i vogël për të shërbyer si shembull.
“Nuk na erdhi njeri deri në momentin që i ndërtuam që të na thoshte ndaloni punimet. Kur u ndërtua, atëherë erdhi inspektoriati. Këto që bëhen janë shembuj selektivë dhe asgjë tjetër. Ne jemi injoruar disa herë”, thotë një banor i zonës së Kodrës së Priftit.
Zoti Hoxha ka shtuar se do të vijojë prishjen e ndërtimeve, por nuk ka pranuar asnjë pyetje nga gazetarët, duke përsëritur para mikrofonit të njëjtën fjali që ka thënë në ato pak dalje të tij gjatë aksioneve për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Top Channel