“SHBA-Rusi të bëjnë progres”

09/08/2013 18:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të bëjnë progres në zgjidhjen e çështjeve kritike, pavarësisht përplasjeve dhe mosmarrëveshjeve të momentit.

Pas një takimi të zhvilluar në Uashington, edhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka thënë se dy vendet kanë hedhur “themele solide” për bashkëpunim në të ardhmen.

Takimi erdhi dy ditë pasi presidenti amerikan Barack Obama anuloi takimin me presidentin rus Vladimir Putin, për shkak të azilit që qeveria ruse i ofroi Edward Snowden.

Gjithashtu, në takimin e zhvilluar në Uashington kanë qenë të pranishëm sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel dhe homologu i tij rus, Sergei Shoigu.

Zoti Kerry u shpreh i vetëdijshëm për tensionet e ngritura mes SHBA dhe Rusisë, të cilat u rënduan nga vendimi në fjalë i qeverisë së Moskës, për të strehuar ish-kontraktorin e NSA-së.

“Nuk është sekret fakti që kemi kaluar disa momente përplasjeje dhe jo vetëm për çështjen e Snowden”, deklaroi Kerry, përkrah të cilit ndodheshin zoti Lavrov dhe Shoigu.

“Ne do t’i diskutojmë këto çështje, por ky takim mbetet i rëndësishëm mbi dhe përtej përplasjeve dhe mosmarrëveshjeve të momentit”, theksoi Kerry.

Në veçanti, shefi i diplomacisë amerikane citoi nevojën për progres në çështje si mbrojtja raketore, Afganistani, Irani, Korea e Veriut dhe Siria.

Për këtë të fundit, gjithmonë sipas zotit Kerry, dy vendet kanë rënë dakord që konflikti që po përgjak vendin të zgjidhet përmes dialogut politik.

“Të paktën ne në Rusi ishim të përgatitur t’ia çonim propozimet tona dy presidentëve, por do ta bëjmë këtë sapo të zhvillohet takimi mes tyre”, tha Lavrov nga ana e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA