Departamenti i Shtetit ka evakuuar pjesën më të madhe të diplomatëve nga Lahore, në Pakistan, si përgjigje e një kërcënimi terrorist kundër konsullatës amerikane, bënë të ditur zyrtarë të lartë të DASH për CNN.
“Kemi marrë atë që e vlerësojmë si një kërcënim, për të cilin ia vlen ky veprim”, tha një zyrtar amerikan për CNN.
DASH lëshoi një “urdhër largimi” për të gjithë diplomatët amerikanë në Lahore, të enjten, me përjashtim të një “grushti” njerëzish, personel i emergjencës. Diplomatët janë transferuar në Islamabad, kryeqytetin e vendit, thanë zyrtarët.
Një paralajmërim për udhëtimet, i lëshuar nga DASH, nënvizonte se ai “urdhëronte këtë tërheqje për shkak të kërcënimeve specifike, që shqetësonin konsullatën amerikane në Lahore”, si dhe paralajmëronte qytetarët amerikanë të mos udhëtojnë në Pakistan.
“Prezenca e disa grupeve të huaja dhe indigjene terroriste, shfaqin një rrezik potencial ndaj shtetasve amerikanë kudo në Pakistan”, thuhej në paralajmërimin për udhëtim.
Ende është e paqartë, nëse kërcënimi i fundit ndaj konsullatës ka lidhje me kërcënimin aktual ndaj ambienteve dhe personelit amerikan, që detyroi SHBA-të të mbyllnin ambasadat dhe konsullatat në të gjithë Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë.
Top Channel