Siri, masakrohen 60 rebelë në një pritë

07/08/2013 19:25

Mbi 60 luftëtarë rebelë janë vrarë në një pritë të ngritur nga ushtria siriane, raporton një grup i monitorimit të situatës në vendin e përfshirë nga lufta e përgjakshme.

Rebelët u vranë në kurthin e ngritur në qytetin Adra, në lindje të Damaskut, bën me dije Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, mbështetës i opozitës. “Të paktën 62 rebelë ranë si martirë, shumica e të cilëve të rinj”, deklaron grupi në një komunikatë.

Ndërsa agjencia shtetërore e lajmeve “Sana” konfirmoi se disa dhjetëra rebelë janë vrarë dhe tha se ata vinin nga fronti Al Nusra, i lidhur ngushtë me Al Kaedën.

Sipasa agjencisë, rebelët ishin të pajisur me armë automatike dhe granatahedhëse, të cilat janë konfiskuar nga trupat ushtarake.

Mbi 100 mijë persona janë vrarë në konfliktin që zgjat prej 28 muajsh në Siri, me 1.7 milionë sirianë të tjerë që janë detyruar të kërkojnë strehim në vendet fqinje.

Forcat besnike të presidentit Bashar al Assad kanë ende nën kontroll shumicën e Damaskut dhe rrugët që të çojnë në perëndim, ndërsa rebelët kanë marrë nën kontroll zona në veri dhe lindje të vendit.

Televizioni shtetëror sirian tregoi pamje të personave të vrarë. Mohammed Saeed, një aktivist nga Damasku, tha për agjencinë “Associated Press” se rebelët po lëviznin nga zonat lindore të Damaskut për në zonën e Kalamunit kur ranë në pritë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta