
Presidenti amerikan, Barack Obama konfirmoi të martën pjesëmarrjen e tij në samitin e G20 në vjeshtë që do të zhvillohet në Rusi.
Megjithatë, duke folur për “The Tonight Show” në televizionin NBC, Obama tha se ishte i zhgënjyer nga vendimi i Rusisë për t’i dhënë azil të përkohëshëm Edward Snowden, ish-kontraktori i agjencie të spiunimit në SHBA.
“Kam mbetur i zhgënjyer sepse edhe pse mes dy vendeve tona nuk ka një marrëveshje ekstradimi, ne jemi munduar t’i respektojmë në rastet kur ka një të dyshuar si shkelës i ligjeve në vendin e tyre. Ne kemi bashkëpunuar me ta”, tha Obama.
Obama tha se ndonjëherë, Moska rrëshqet në mendësinë e Luftës së Ftohtë, pavarësisht bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në disa cështje, përfshirë këtu luftën kundër terrorizmit pas bombardimeve në Martonën e Bostonit.
Presidenti amerikan nuk foli nëse gjatë qendrimit në Rusi do të kishte një takim të vecantë me homologun rus, Vladimir Putin, ndërkohë që nga Shtëpia e Bardhë thanë se po shqyrtohen rrethanat “nëse ka kuptim një takim i tillë tashmë”.
Snowden kërkohet nga Shtetet e Bashkuara nën akuzën e spiunazhit. Ai mbërriti në Moskë nga Hong-Kongu dhe destinacioni i tij ishte një tjetër vend. Por në aeroportin e Moskës autoritetet amerikane i bllokuan dokumentacionin duke e mbajtur atë për ditë me radhë në zonën tranzit të aeroportit.
Ai kërkoi azil në mbi 20 vende, por në pamundësi për të dalë nga aeroporti, bëri kërkesë edhe për azil të përkohshëm në Rusi, kërkesë që iu miratua pak ditë më parë.
Top Channel