Lituania, tarifat telefonike më të mira në BE

07/08/2013 17:45

Lituania është vendi i BE-së me tarifat më ekonomike për telefoninë e lëvizshme. Sipas statistikave të Digital Agenda Scoreboard 2012, një minutë bisedë telefonike kushton vetëm 1.9 cent të euros kundrejt 14.7 që shpenzojnë për një bisedë me të njëjtën gjatësi kohore në Vendet e Ulëta.

Sipas të dhënave, shumë vende të tjera të “Europës së Re” rezultojnë mes më ekonomikëve për kë përdor telefona celularë dhe smartphone.

Në Rumani, po për një minutë bisedë paguhen 2.2 cent të euros, në Letoni 3.5, në Bullgari 4.4, në Estoni 6, Hungari 6.1, Itali 6.9, Austri 8.2 dhe Sllovaki 9.1, që është dhe mesatarja evropiane. Ndërsa më të shtrenjta rezultojnë Republika Çeke me 10.4 dhe Sllovenia 10.6 cent.

Diferencat e thella mes një vendi dhe një tjetri, 774 për qind mes Lituanisë dhe Holandës, tregojnë se tregjet e telekomunikacionit në 28 vendet anëtare nuk u ofrojnë përfitime konsumatorit, sikundër mund të bënte një treg i vetëm.

“Është jetike që i tërë Unioni të ecë në një drejtim të vetëm, atë të një kontinenti vërtet të lidhur”, ka deklaruar Neelie Kroes, zv.president i Komisionit Evropian, që në shtator do të prezantojë një propozim në BE për përforcimin e tregut unik të telekomunikacionit në kontinentin e vjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA