
Presidenti i përkohëshëm egjiptian njoftoi dështimin e përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur krizën politike që ka përfshirë vendin që pas rrëzimit të presidentit Mohamed Morsi nga ana e ushtrisë më 3 korrik.
Presidenti Adly Mansour tha se përpjekjet e diplomatëve nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dështuan.
Të paktën 250 persona kanë gjetur vdekjen nga trazirat që kanë përfshirë Egjiptin pas rrëzimit të presidentit Morsi me 3 korrik. “Vëllazëria Muslimane”, lëvizja politike që mbështet ish-presidentin ka mbajtur thuajse cdo ditë protesta në rrugët dhe sheshet e vendit duke kërkuar rikthimin e tij në pushtet.
Brenda më pak se një muaji dhjetra diplomatë ndërkombëtarë kanë udhëtuar drejt Kajros, përfshirë këtu edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Xhon Keri dhe shefen e diplomacisë europian, Katherin Ashton në përpjekje për uljen e palëve në tryezën e bisedimeve.
Përpjekjet e tyre dështuan njëra pas tjetrës si pasojë e refuzimit të “Vëllazërisë Muslimane” për t’u ulur në bisedime pa u rikthyer Morsi në krye të shtetit.
Të martën vendi u vizitua nga dy senatorët republikanë, John McCain dhe Lindsay Graham të cilët bënë thirrje për lirimin e të burgosurve politikë dhe futjen e vendit në një proces gjithëpërfshirës për ndërtimin e demokracisë.
Top Channel