Vriten pesë ushtarë indianë në Kashmir

06/08/2013 00:00

Pesë ushtarë indianë janë qëlluar për vdekje në zonën e Kashmirit të administruar nga shteti indian, ka bërë të ditur kryeministri i rajonit të diskutuar me Pakistanin.

Ushtria indiane ka akuzuar pikërisht këtë të fundit mbi ngjarjen, duke deklaruar se trupa pakistaneze kishin hyrë në zonën indiane dhe u kishin ngritur pritë ushtarëve të patrullës.

Por një zëdhënës ushtarak pakistanez ka deklaruar për BBC se nga pala pakistaneze nuk ka pasur të shtëna. I pretenduar nga të dyja vendet, Kashmiri ka qenë një zonë lufte prej më shumë se 60 vjet.

Në janar, një seri sulmesh të armatosura ndërkufitare futën dy vendet fqinje në krizën më të thellë të regjistruar ndër vite.

Incidenti i fundit ndodh në një moment kur të dyja palët po përgatiten për bisedime për vendosjen e paqes, të parat që kur qeveria e re pakistaneze mori detyrën.

Kryeministri i zonës indiane të Kashmirit, Omar Abdullah ka deklaruar se incidente të tilla nuk i ndihmojnë përpjekjet për normalizimin ose përmirësimin e marrëdhënieve me Pakistanin.

Ndërsa një oficer i lartë i ushtrisë indiane ka thënë për BBC se një grup komandosh elitë nga ushtria pakistaneze kaluan vijën e kontrollit të martën në mëngjes dhe i zunë pritë patrullës ushtarake indiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB