Siri, rebelët në bastionin e Assad

06/08/2013 00:00

Rebelët sirianë kanë marrë nën kontroll disa fshatra gjatë një ofensive surprizë në provincën Latakia, një nga bastionet e presidentit Bashar al Assad.

Përleshje të dhunshme me të vrarë u verifikuan mes luftëtarëve të opozitës dhe atyre besnikë ndaj regjimit për të dytën ditë rresht ën rajonin bregdetar.

Latakia është trashëgimia e familjes Assad. Ofensiva erdhi pasi trupat besnike morën së fundmi nën kontroll disa zona në qytetet Damask, Homs dhe Alepo.

Gjithashtu, të martën, rebelët deklaruan se kishin zaptuar një aeroport të rëndësishëm ushtarak në kufi me Turqinë.

Në javët e fundit trupat qeveritare ishin përpjekur të zmbrapsnin rebelët në aeroportin ushtarak Minig, që ndodhet në rrugën mes Alepos dhe qytetit turk Gaziantep.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut deklaroi se rebelët kanë marrë fshatrat në Latakia pasi sulmuan postoblloqet e qeverisë me raketa anti-tank që prej ditës së diel.

Grupi deklaroi se ushtria dhe rebelët u angazhuan në një shkëmbim të ashpër zjarri në provincën në fjalë për dy ditë rresht, me viktima në radhët e të dyja palëve.

Rajoni i Latakias përbën zemrën e politikës së Alauitëve, që përbënin 10 për qind të popullsisë siriane, të dominuar nga etnia sunite. Observatori i të Drejtave të Njeriut shtoi se janë të gjitha gjasat që në zonën në fjalë të shpërthejë lufta ndërsektare mes dy etnive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB