Kanada, gjarpri mbyt dy fëmijë

06/08/2013 01:00

Policia ka njoftuar se një gjarpër, që ia kishte “mbathur” nga një dyqan kafshësh shtëpiake, ka vrarë dy fëmijë në provincën kanadeze të New Brunswick.

Në një deklaratë të tyren, RMCP tha se besojnë që zvarraniku ka mbytur dy djem, të moshës 5 dhe 7 vjeç, në Campbellton. Ata ishin duke qëndruar gjatë natës në apartamentin e një shoku, mbi dyqanin e kafshëve.

Sipas policisë, besohet se gjarpri kishte dalë nga kafazi i tij gjatë natës dhe kishte hyrë në apartament përmes tubave të ventilimit. Më pas, ai është kapur nga policia.

Oficerët u njoftuan gjatë mëngjesit të së hënës dhe shkuan në vendngjarje, ku gjetën 2 djemtë të vdekur. Apartamenti ndodhej mbi dyqanin e kafshëve ekzotike “Reptile Ocean”.

“Hetimet paraprake detyrojnë policinë të besojnë se një gjarpër i madh ekzotik ia ka mbathur nga rrethimi i tij në dyqan, diku nga mesnata, dhe përmes sistemit të ventilimit ka hyrë në ambientet e apartamentit mbi dyqanin”, lexohej në deklaratë.

Ekzaminimet pas vdekjes do të kryhen ndaj dy djemve, që mendohen të kenë qenë vëllezër. Asnjë akuzë nuk është ngritur deri më tani.

Sipas zëvendës-kryebashkiakut të Campbellton, Ian Comeau, ky incident përbën një tragjedi. “Qyteti është tërësisht i shokuar”, shtoi ai.

Raportimet e para treguan se zvarraniku mund të ketë qenë një boa, gjarpër muskul-tkurrës, por zyrtarët thanë më pas se besonin të kishte qenë një piton afrikan. Pronari i dyqanit tha për mediat se e mbante atë gjarpër prej vitit 2001.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA