Jemen, vriten 4 anëtarë të Al Kaedës

06/08/2013 00:00

Katër persona të dyshuar si anëtarë të Al Kaedës janë vrarë gjatë natës në një sulm të avionëve amerikanë të telekomanduar në rajonin e Maribit, në Jemen.

Lajmin e bën të ditur një zyrtar lokal dhe agjencia zyrtare e lajmeve “SABA”.

Sulmi është kryer në një moment kur Shtetet e Bashkuara kanë dhënë alarmin maksimal për sigurinë, që ka çuar në mbylljen e shumë misioneve diplomatike në Lindjen e Mesme.

Një ditë më parë Uashingtoni zyrtar deklaroi se do të mbajë të mbyllura deri të shtunën e ardhshme një numër ambasadash në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme, për shkak të kërcënimeve terroriste.

Të paktën 21 ambasada dhe konsullata u mbyllën ditën e djel. Departamenti i Shtetit deklaroi se zgjatja e masës erdhi për shkak të kujdesit dhe jo si një reagim ndaj kërcënimeve të reja.

Edhe qeveria e Britanisë së Madhe deklaroi se ambasada e saj në Jemen do të qëndrojë e mbyllur deri në përfundimin e festave myslimane. Më herët Ministria e Jashtme në Londër deklaroi se do ta mbante mbyllur ambasadën në kryeqytetin e Jemenit deri të martën.

Ndërkohë, misionet diplomatike amerikane në Algjer, Kabul dhe Bagdad ishin mes atyre që rihapën dyert ditën e hënë. Por zyrat e tjera diplomatike në Abu Dhabi, Aman, Kajro, Riadh, Dhahran, Xhedah, Doha, Dubai, Kuvait, Manama, Muskat, Sana dhe Tripoli do të mbeten të mbyllura deri të shtunën.

Ndërkohë, alarmi i Uashingtonit për turistët për shmangien e udhëtimeve, i lëshuar ditën e premte, do të qëndrojë në fuqi deri në fund të gushtit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA