Një mesazh nga lideri i al-Qaeda-s, Ayman al-Zawahiri, drejt numrit 2 në komandë në Jemen, përmbante tekstin “Bëj diçka!”, duke shkaktuar te zyrtarët amerikanë dhe jemenas frikë për një sulm të mundshëm terrorist, bën të ditur CNN.
Për disa javë, zyrtarët amerikanë dhe ata të Jemenit kanë vërejtur një rrjedhë në rritje të inteligjencës, në lidhje me mundësinë për një sulm terrorist në Jemen, por ata ngritën alarmin pas përgjimit të një mesazhi, që besohet të jetë i al-Zawahiri-t, i cili mendohet se strehohet në Pakistan.
Mesazhi u dërgua drejt Nasir al-Wuhayshi, lider i al-Qaeda-s në gadishullin arabik, filial i grupit terrorist në Jemen. Inteligjenca amerikane beson se al-Wuhayshi është caktuar së fundi si numri 2 i organizatës terroriste, jo vetëm në Jemen.
Zyrtarët amerikanë u treguan të kujdesshëm, duke thënë se ka shumë burime të inteligjencës, përfshi edhe përgjimet e informacioneve elektronike nga telefonatat, postimet në web, por edhe marrja në pyetje e korrierëve apo operativëve të tjerë.
Shtetet e Bashkuara kanë forcuar së tepërmi masat e sigurisë, duke lëshuar alarme mbi udhëtimet ndërkombëtare dhe duke mbyllur ambasadat e konsullatat në një pjesë të madhe të vendeve të Lindjes së Mesme apo Afrikës Veriore.
Top Channel