Ylli Polovina – Më 30 korrik, ora 15.30, takimi i ambasadorit shqiptar në Sarajevë, Flamur Gashi, me Pane Shkërbiç, president i Agjencisë për Zgjedhjen dhe Promovimin e Menaxherëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe të Europës Juglindore e Qendrore, zgjati afro tridhjetë minuta.
Kur më në fund i porsaardhuri nisi të zbriste shkallët për të ikur dhe në oborrin e ambasadës kreu ceremoninë e fundit të protokollit, një foto të përbashkët dhe shtrëngimin e duarve, pikërisht kur bashkë me dy shoqëruesit e bashkëpunëtorët e tij u drejtua për te makina, papritur ktheu rrugë dhe na u riafrua.
I gjendur pothuaj rastësisht në atë ngjarje dhe i befasuar nga ajo që pashë gjatë gjysmës së orës së takimit, në fund të bisedës së tij me ambasadorin i pata thënë se për çfarë u bëra dëshmitar, kur të kthehesha në Tiranë, do të shkruaja diçka për gazetën e shumëlexuar “Shqip”.
Tashmë, siç duket me një peng për diçka ende të pathënë, Pane Shkërbiç na hodhi të dyve duart në shpatulla dhe mua më tha: “Të lutem një gjë duhet ta thuash nga ana ime për gazetën. Në qoftë se dikush do të më merrte dhe do të më hidhte nga aeroplani me parashutë në Shqipëri, duke mos e ditur ku jam dhe se ku po bie, me atë që pashë gjatë vizitës sime atje, do të thosha se jam ose në Amerikë ose në një shtet perëndimor të Europës”.
Pastaj, pa e fshehur emocionin, shqiptoi: “Ta dish, unë e dua shumë sinqerisht Shqipërinë dhe më është krijuar një bindje e jashtëzakonshme për ata njerëz dhe atë vend”.
Dhe, për t’i përcjellë lexuesit jo thjesht një informacion, nënshtetasi boshnjak Pane Shkërbiç është me origjinë serbe. Kur gjatë takimit të tij me ambasadorin e pata pyetur nëse ishte dakord me pavarësimin e Kosovës, më ishte përgjigjur pa mbajtur pezull asnjë rrokje: “Pa dyshim, Kosova e meriton të jetë shtet më vete”. Zoti Shkërbiç para viteve nëntëdhjetë kishte qenë për të gjithë Bosnjë-Hercegovinën shefi i redaksisë së gazetës jugosllave me tirazh të lartë “Osllobozhdenije”.
Agjencia që ai tashmë drejton, është një mekanizëm i madh përzgjedhjeje dhe promovimi i nxitësve të biznesit në të gjithë Ballkanin dhe po ashtu të një pjese të madhe të kontinentit. Grupet e saj të punës vëzhgojnë në këto hapësira dhe kanë të regjistruar si kandidatë për t’u seleksionuar dhe vlerësuar me çmime të posaçme plot tre mijë personalitete të këtij profili.
Këtë vit, në edicionin e njëzetetetë, i cili u mbajt më 4 korrik, ora 18.00, në hotelin e madh “Holiday” në Sarajevë, ku gjendeshin për t’i bërë jehonë edhe dyqind gazetarë të akredituar në BH, si edhe gjashtë televizione e transmetuan live në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, u shpallën fitues edhe shqiptarët Flamur Gashi (iu dha titulli “Ambasadori më i mirë”), kryebashkiaku i Prishtinës, akademik Isa Mustafa (si kryetari i bashkisë së kryeqytetit më të mirë për inkurajimin e biznesit) dhe Enver Ferizaj, president i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar.
Ky vlerësim i qartë për çfarë përfaqësojmë të spikatur në Ballkan e përtej, përveç të tjerash do të thotë që në një album tepër luksoz të botuar së shpejti nga agjencia e drejtuar prej Pane Shkërbiç dhe bashkëpunëtorëve të tij, i shpërndarë kudo nëpër qendrat e zhvillimit ekonomik të Europës, në një nga faqet hyrëse do të ketë të rreshtuar edhe flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Agjencia për Zgjedhjen e Promovimin e Menaxherëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Europës Juglindore dhe Qendrore, e cila e peshon forcën ndikuese dhe autoritetin e saj edhe prej numrit përherë e më të madh të sipërmarrësve, që në edicionet e saj të përvitshme të ndarjes së çmimeve vijnë me avionë privatë, mbulon 40 shtete të kontinentit, përfshi deri tani Gjermaninë, Hungarinë, Austrinë dhe Francën.
Si personalitete të vitit, gjithnjë për aftësi të spikatur në nxitjen e klimës favorizuese për biznesin, kanë marrë çmime edhe presidenti malazez, si edhe ai kroat. Episodi i mësipërm në Bosnjë-Hercegovinë nuk është as i vetmi dhe as më përfaqësuesi i një të vërtete, të cilën jo të gjithë bashkëkombësit tanë e dinë: në këtë vend shqiptarët i çmojnë shumë.
Fillimisht je i sigurt se për këtë lidhje të veçantë ka luajtur rol të parë historia e më tej se një mijëvjeçari, pastaj, ndoshta, edhe një fill i lehtë përbashkues i besimit fetar mysliman, patjetër edhe lufta heroike, por edhe e tmerrshme, kundër sulmit serb, në vitet 1992-1995.
Dëshmori i parë i saj është inxhinieri Bajram Zenuni, i cili në ditën e fillimit të agresionit, më 2 maj, ndërsa ishte për punën e zakonshme në stacionin e antenave të radiotelevizionit të Sarajevës, mes shpërthimit të papritur të predhave armike që po e goditnin tërbimshëm, u telefonoi eprorëve brenda në qytetin tashmë të tronditur nga nisja e kësaj lufte që do të zgjaste pesë vite dhe me kronikat e saj të dhimbshme do të trondiste tërë botën, duke u thënë se nuk do të lëshonte asnjë centimetër territor nga stacioni. “Jam shqiptar, kishte deklaruar, dhe si i tillë, po të jetë nevoja, do të vdes këtu”. Dhe që po atë ditë ra në mbrojtje të Sarajevës.
Por ajo që na u duk se kishte ushtruar ndikim të posaçëm në këtë imazh mjaft pozitiv tonin në BH, ishte pasviti nëntëdhjetë. Kjo Shqipëri e mbas diktaturës, të cilën ne nga brenda e njohim për problemet që ka në themel, atje ishte adhurim. Të gjithë me të cilët biseduam, sarajevas të thjeshtë apo profesorë, veprimtarë politikë ose fetarë, sipërmarrës apo drejtues të agjencive të njohura turistike, admironin ritmin e lartë të ndryshimit tonë.
U dukej si një revolucion zhvillimi, i cili që prej dy dekadash e sidomos dhjetë vitet e fundit, vraponte përpara e nuk donte të lodhej, të ndalte. “Gjithçka ju e kini transformuar, këmbëngulnin ata, e kini përmbysur për mirë”.
I habiste energjia e shqiptarëve, lëvizshmëria dhe temperamenti i tyre, prirja drejt modernes, fryma proeuropiane, sensi i paepur kombëtar. Të zënë në befasi nga ky kult shqiptar, përpiqeshim t’u thoshim se vuajmë nga jo pak të meta, se në vendin e tyre, për shembull, vepronte aq fort ligji sa kush nuk i paguante taksat deri ditën e caktuar si kufi mujor, e shembnin ndëshkime të rënda.
U kujtonim se në linjën e tramvajit të tyre, ku bileta ishte një markë e gjysmë vendase, kontrollorët po të të kapnin pa biletë të dënonin me një gjobë njëqind markëshe dhe guxoje, po deshe, të mos e shlyeje! Megjithatë sarajevasit nuk jepeshin, Shqipëria u dukej bukuria e dheut, ca më shumë kur në mes futej edhe bregu i pafund i dy deteve tanë të ngrohtë, si edhe ushqimi i shijshëm.
Imazhi ynë i mirë, si një vend me njerëz të zotë, u rrit edhe më 25 korrik, kur në mbrëmje, në stadiumin e Sarajevës, skuadra futbollistike e Kukësit, nëpërmjet ruajtjes taktike të një barazimi, fitoi mbi vendasen. Për fat isha aty në këtë çudi.
Kam fiksuar gjithçka, që nga siluetat në fushë dhe loja shumë elegante e ekipit kuksian, deri tek inteligjenca e grupit të tij stërvitës, po ashtu edhe fizionomia tepër pasionante, e përkushtuar dhe e sinqertë e presidentit të klubit, Safet Gjici. Një qytet i vogël shqiptar të mposhte Sarajevën e famshme treçerek milionëshe mu në zemër të Ballkanit! Ishte si në eposin e Mujit dhe të Halilit.
Këto ditë pritet që tenderin e uniformave të policisë së Bosnjë-Hercegovinës ta fitojë një kandidat me ofertën më të mirë. Ai është një shqiptar nga Tirana. Dyqind biznesmenë nga BH ka dërguar deri tani ambasada jonë, në bashkëpunim me autoritetet vendase, në Shqipëri. Në vitin 2010, kur për herë të parë, në muajin gusht, nisi punën në Sarajevë përfaqësia jonë diplomatike, nga 6700 turistë të këtij vendi, të vetëdeklaruar se patën shkuar në vendin tonë, vitin e kaluar shifra kërcyese shkoi në 31 800.
Pamja jonë në “pasqyrën e Sarajevës”, ndërsa kemi boll të meta, por edhe ndaj nesh prej disa mjediseve të huaja ngulmojnë me tendencë jodashamirëse paragjykime negative, mbase na bën mirë. Një vetëvlerësim, qoftë edhe psikologjikisht, na nxit dhe jep besim. Për fat jemi më të mbarë nga sa të prapë mbahemi apo e dimë veten.
Sidomos jemi më pozitivë nga sa na vizaton politika jonë me mënyrën dekurajuese se si ajo e zhvillon së brendshmi luftën e saj për rivalitet e kontroll të pushtetit mbi territor. Edhe pse kur qeverisin kanë merak ta zhvillojnë vendin e tyre, në polemikën e përditshme verbale, me gjuhën që përdorin, ta mërzitin Shqipërinë.
Gjatë disa ditëve të qëndrimit në Sarajevë, aty ishte edhe një ekip nga “Top Channel”. Ishte ai i Marin Memës, i emisionit “Shqipëria tjetër”. Nuk e di çfarë theksi do t’i vendosë kur ta shfaqë, në vjeshtë, por edhe ata qenë një risi e bukur. Trupë xhirimi me ritëm e shije perëndimore.
Ndërsa Marini vërtiste kudo, për të gjetur detaje, sytë e tij vetëtitës dhe Edmond Sevi i pafjalë rendte pa pushim për ta fiksuar nëpër vapë kamerën e rëndë, shoferi i tyre, Dashnor Koroni, një çast, me një dinjitet të hijshëm, nxori nga xhepi dhe na tregoi teserën e Partisë Demokratike. Marin Mema, kritikues, për shkak të profesionit, i kësaj qeverie tashmë në ciklin e ndërrimit, tek e shihte këtë skenë, e shkëndijonte vështrimin me krenari.
Shqipëria nuk është e bukura e dheut, por aspak edhe e sëmura e Ballkanit. Ajo është e shëndetshmja e gadishullit, më ambiciozja për ndryshim, me sa duket edhe më realizuesja. Por duhet të shkosh në Sarajevë për ta kuptuar dhe ndier këtë.
Top Channel