
Ka përfunduar në tragjedi martesa 25-vjeçare e çiftit Jazxhiu, prindër të dy fëmijëve. Edmir Jazxhiu, 51 vjeç qëlloi për vdekje me pistoletë bashkëshorten e tij, Dallëndyshen e më pas i dha fund jetës me të njëjtën armë.
Në momentet e fundit përpara krimit burri ishte parë në një lokal pranë lagjes. Ajo që dihet zyrtarisht është një kërkesë e Dallëndyshes drejtuar gjykatës pas kërkesës së saj për urdhër-mbrojtjeje dhe pushimi i çështjes nga gjykata pasi 50-vjeçarja ishte tërhequr nga kërkesa e saj.
“E njihja, ishte alamet burri. S’kishin asnjë problem. Alamet gruaje e alamet burri. Jam tromaksur kur e mora vesh. Ajo punonte këtu, shkonin shumë mirë”, tregon një banore e lagjes.
“Dallëndyshja nuk shqetësohej ndonjëherë. Unë nuk di të kenë pasur ndonjë problematikë në çift. Ekonomia mbase ka ndikuar, por me të dëgjuar e kam”, shprehet një tjetër.
Sipas të dhënave, Edmir Jazxhiu shpesh konsumonte alkool në një kohë kur së fundmi në familjen e tyre kishin filluar mosmarrëveshjet për shkaqe ekonomike.
Banorët thanë se për shkak të dhunës, gruaja largohej nga banesa duke u strehuar tek disa të afërm të saj, por më pas kthehej sërish duke e falur bashkëshortin, falje e cila pas tërheqjes nga kërkesa për urdhër-mbrojtjeje duket se i mori jetën nënës së dy fëmijëve.
Krimet e këtij lloji po marrin dita ditës përmasa të frikshme. Rastet më të fundit ishin ato të muajit të kaluar, ku brenda një dite u verifikuan dy vrasje.
Në rastin e parë, një 44-vjeçar vrau bashkëshorten e tij me mjete të forta. Ngjarja ndodhi në Fushë Mamurras, kur Marjan Lleshi ekzekutoi bashkëshorten e tij 27-vjeçare, Valbona.
Ndërsa pak orë më vonë të së njëjtës ditë, shtetasja Alketa Cani, 36 vjeçe, u ekzekutua nga bashkëshorti i saj, Ilirjan Cani, në banesën e tyre.
Më pas, burri tentoi të vriste edhe veten, por fqinjët e transportuan atë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës në një gjendje të rëndë për jetën.
Vrasja e Alketa Canit ishte e treta ndaj një gruaje brenda tri ditësh pas asaj të ndodhur pak ditë më herët po në Tiranë dhe e katërta që nga fillimi i korrikut, pas asaj të ndodhur në lagjen Kombinat të kryeqytetit.
Ngjarjet në fjalë shtynë Myftininë e Tiranës së bashku me Grupin e të Drejtave të Njeriut të organizonin një seminar në lidhje me këtë fenomen të shtunën e kaluar.
Përfaqësuesit e dy grupeve u shprehën njëzëri se, efektet e dhunimit fizik dhe psikologjik të femrës përfshijnë çdo fushë të jetës. “Dinjiteti i femrës është i shenjtë. Çdo grua vjen në jetë për të dhënë jetë në këtë botë”, deklaroi Ylli Gura, kryetar i Myftinisë së Tiranës.
“Duhet të flasim për shoqërinë. Nëse nuk kemi shkallë ndjeshmërie që të na bëjë të shqetësohemi në rastin e dhunës ndaj grave, atëherë nuk mund të presim nga qeveritë tona që tek e fundit janë produkt i kësaj shoqërie”, tha nga ana tjetër Elsa Ballauri, nga Grupi i të Drejtave të Njeriut.
Top Channel