Aksidentohet treni me lëndë toksike

05/08/2013 00:00

Rreth 100 shtëpi janë evakuar në Luiziana të Shteteve të Bashkuara pasi një tren që transportonte lëndë toksike doli nga binarët.

Nga treni rrodhi sodium hidroksidi, lëndë që mund të jetë fatale për jetën e njeriut nëse thithet me anë të frymëmarrjes.

Mbi 20 vagona mallrash të trenit në fjalë dolën nga binarët në perëndim të lokalitetit Baton Ruzh, në orën 15:30, me orën lokale, ditën e diel.

Për fat të mirë inxhinieri dhe makinisti nuk mbetën të lënduar. Për momentin nuk është konstatuar një ndotje e ajrit.

Gjithësesi, dëmet e shkaktuara do të mësohen së shpejti, deklaroi guvernatori i shtetit, Bobby Jindal. “Sa herë që ka një derdhje lëndësh kimike në ambjent kemi një problem serioz”, deklaroi guvernatori.

Ende nuk është e qartë se çfarë shkaktoi daljen e trenit nga binarët. Përfaqësuesi i një sindikate hekurudhore, Raquel Espinoza deklaroi se një tjetër vagon i dëmtuar nga i njëjti tren përmbante klorid vinil, por nuk po rridhte.

Një person që ishte pranë vendit të incidentit kërkoi ndihmë mjekësore pasi ndjeu djegie në sytë e tij. Policia lokale deklaroi se rrugët përreth vendit të ngjarjes do të rrijnë mbyllur për të paktën dy ditë.

Top Channel