Kthimi në normalitet

04/08/2013 00:00

Ilir Yzeiri – Gjëja e parë që të bie në sy kur sheh kabinetin Rama është se njerëzit që janë zgjedhur për të kryer detyrën e ministres apo të ministrit janë njerëz normalë, në kuptimin se kanë një profil normal. I vetmi njeri me profil mbi normalen është Kryeministri Edi Rama dhe kjo është e kuptueshme. Natyrisht është herët të gjykojmë se çfarë rezultatesh do të arrijë kjo qeveri, por një gjë duket që tani.

Këta ministra normalë do të duhet të vendosin një marrëdhënie normale me publikun dhe do të duhet t’i shërbejnë normalisht vendit të tyre. Shqipëria ka qenë për një kohë të gjatë peng i njerëzve anormalë. Njeriu anormal e projekton veten e tij mbi fatin e njerëzve normalë dhe dëshirat e tij, pasionet apo idetë e tij i paraqit si vërtetim i një kauze sipërane.

Kryeministri që iku, Kryetarja e Parlamentit apo disa ministra të atij kabineti silleshin me publikun si njerëz anormalë. Për ta nuk ekzistonte opozita, për ta opozita ishte një grumbull me fëmijë të bllokut që duheshin kapur për zhelesh e duheshin nxjerrë jashtë. Për ta nuk ekzistonin dëshirat dhe aspiratat e publikut. Për ta normale ishin çmenduritë e tyre që nuk llogarisnin jetën normale të shqiptarëve. Për ta nuk ekzistonte media kritike, e shëndoshë, ajo që formon opinionin publik, për ta ekzistonte vetëm propaganda dhe qendra e zërit.

Topalli hyri në historinë e komunikimit politik sidomos me karikaturën anormale që paraqiti përpara Kuvendit, atëherë kur donte të ndërtonte emulacionin demokratik me foto apo flamuj, me orë elektronike e lloj-lloj marrëzish të tjera.

Këto veprime anormale dhe arroganca e drejtimit të Kuvendit e kishin pështirosur jetën parlamentare dhe e kishin bërë vetë Jozefinën një personazh anekdotik. Berisha është kampioni i situatave anormale në këta njëzetë vjet. Ai prodhoi anormalitet tragjik me shumicë, si në rastin e Gërdecit, apo atëherë kur vrau katër protestues në mes të Bulevardit dhe sillej orë e minutë si një njeri anormal, duke recituar një tekst që përmbante makthet e tij, halucinacionet dhe pasionet e mbrapshta.

Njerëzit anormalë janë një vlerë e madhe në art apo në letërsi, në shkencë apo kulturë, por janë një mallkim tragjik në politikë. Gjëja e parë e njeriut politik është përunjësia, vetëdija se ai është zgjedhur aty për të shërbyer dhe jo për të drejtuar. Ngatërrimi i paradigmës së shërbyesit me prijësin i ka bërë shpeshherë udhëheqësit tanë personazhe tragjiko-komikë. Berisha është karikatura e fundit që ngatërronte këtë paradigmë. Ai e kishte projektuar veten jo si një shërbëtor të përunjur dhe normal të publikut, por si një prijës legjendar dhe dilte nga mëngjesi deri në darkë e recitonte një tekst folklorik që nuk kishte lidhje fare me Shqipërinë normale. Në qoftë se do të studiosh sidomos fjalimet e tij në kohë fushate, ato në mbledhje qeverie, do të vësh re se në to nuk ka asnjë përputhje mes asaj që kërkon publiku dhe asaj që bën ose realizon ai.

Është edhe kjo një ndër arsyet që publiku iu përgjigj në mënyrë plebishitare dhe e hodhi tej si një leckë këtë politikan anormal. Për fat të keq, ajo që ka mbetur nga PD-ja, po vijon të sillet përsëri si një forcë politike jo normale. Lulzim Basha po vërteton nga dita në ditë se nuk është zgjedhur kryetar i PD-së, por zëdhënës i maskuar i Sali Berishës, sepse të gjitha tekstet që ai reciton janë pjesë e arkitekstit që ka ndërtuar më parë Sali Berisha.

Gjuha e shpifjeve dhe e insinuatave që është pjesa thelbësore e stilit polemik të Berishës është bërë pjesë integrale edhe e tekstit që reciton Basha. Njeriu anormal nuk e pranon sfidën dhe humbjen. Në shoqëritë normale, i humburi apo i munduri në një betejë elektorale është pjesa tjetër e qeverisjes, në kuptimin që ai do të bëjë kritikën dhe do të bashkohet me opinionin publik për të mos e lënë qeverinë të gabojë.

Kjo vlerë që ka i munduri apo i humburi është një përjetim normal i situatës apo i gjendjes në demokraci dhe nuk është disfatë në një betejë kalorësiake ose në një ndeshje gladiatorësh. Në një vend normal demokratik, pala që humbet zgjedhjet, analizon gabimet, i bën ato publike në fillim me anëtarët e saj, pastaj ia thotë edhe publikut të gjerë dhe nis e riorganizohet në mënyrë që të fitojë zgjedhjet e ardhshme.

Mirëpo partia e liderit anormal nuk bën asnjërën prej tyre. Ajo natë e ditë shan, mallkon dhe e shpall veten viktimë të kundërshtarit që është kriminel. Kjo paradigmë, që ka në thelb mentalitetin komunist, nuk e kupton kurrë se ç’është demokracia dhe nuk arrin asnjëherë të mendojë se betejat elektorale nuk janë luftëra revolucionare, por janë ndeshje normale idesh dhe programesh, të cilat i gjykon publiku, jo arbitri siç ndodh në ndeshjet sportive. Për sa kohë që është kështu, ne kemi fat që kabineti i propozuar nga Rama duket normal, por jemi pa fat, për sa kohë që opozita më e madhe në vend frymëzohet ende nga një njeri anormal.

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA