Policia bashkiake e Tiranës ka vijuar aksionin për largimin e të gjitha tavolinave dhe karrikeve të nxjerra nga subjektet private që kishin zaptuar hapësirat publike.
Këtë radhë aksioni i Policisë Bashkiake është ndalur në lokalet në zonën e Kombinatit, por sipas drejtorit të saj, Vullnet Topalli, të tjera grupe janë shpërndarë në të gjithë territorin e kryeqytetit dhe nuk do të tolerohet asnjë subjekt.
“Aksioni i sotëm konsiston në pastrimin e hapësirave publike të zaptuara nga subjekte të ndryshme në zonën e Kombinatit. Kjo zonë ka qenë më problematike sesa zonat e tjera”, deklaron Topalli.
Drejtori i Policisë Bashkiake i kërkon të gjitha subjekteve private që t’i largojnë vetë objektet me të cilat kanë zaptuar trotuare apo hapësira të tjera publike, para se të ndëshkohen me gjobë.
Ndërkohë që në rast të mosbindjes apo rivendosjes së tyre pasi të largohet policia bashkiake, Topalli thotë se masat janë më të rënda.
“Ndaj të gjitha subjekteve që zotërojnë hapësira publike në mënyrë të paligjshme, në të gjitha rastet merren masa me gjobë dhe në disa raste konfiskim i materialeve që nxjerrin në hapësirat publike”, shton Topalli.
Top Channel