Partia Konservatore ka punësuar menaxherin e fushatës së Barack Obama-s, Jim Messina, për ekipin e vet gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme, bën të ditur BBC. Burime për to konfirmuan se ai do të veprojë si këshilltar për strategjinë e fushatës së partisë Konservatore.
Një demokrat i përjetshëm, Messina ishte truri i fushatës së suksesshme të 2012-s, ku president i SHBA-ve u rizgjodh Obama. Partitë politike në Westminster janë duke u përgatitur tashmë për zgjedhjet e përgjithshme, që do të mbahen në më pak se 2 vjet.
Partia Konservatore punësoi gjithashtu strategun australian Lynton Crosby në nëntor, me synimin e vetëm për të imituar rizgjedhjen e Obama-s, përkundrejt një sfondi me probleme ekonomike. Shumë qeveri të tjera, që kanë synuar rizgjedhjen gjatë turbulencave ekonomike, janë ndëshkuar nga votuesit në ditën e zgjedhjeve.
Konservatorët shpresojnë gjithashtu që Messina të sjellë mes operacioneve të tyre të njëjtën “martesë detyruese” të medias sociale dhe organizatave politike, që shumë veta në Amerikë ia atribuojnë sigurimit të mandatit të dytë të Obama-s.
Thuhet se Crosby ka pranuar privatisht se nuk ndihet i fuqishëm në këtë fushë. Ndërkohë, Messina nuk do të udhëheqë fushatën, siç bëri në SHBA, por do të jetë “raportues në ekipin kryesor të mënaxhimit, të Konservatorëve”, si dhe do të qëndrojë në SHBA, bën të ditur burimi në fjalë.
Ai do të raportojë direkt te Crosby, si dhe dy bashkëkryetarët e Konservatorëve, Grant Shapps dhe Lord Feldman. Sipas burimeve të kësaj partie, ai nuk do të përfshihet në politikat e partisë.
Duke folur mbi caktimin në këtë detyrë, Messina tha për “Newsnight”: “E kam admiruar prej kohësh kryeministrin Cameron. Edhe pse unë nuk do të transferohem në Londër, apo të menaxhoj ndonjë operacion politik të përditshëm, do të ofroj këshilla strategjike gjatë fushatës, deri në momentin e zgjedhjeve të 2015-s”.
Emërimi i Messina-s pritet të shqetësojë liderin e Laburistëve, Ed Miliband, i cili deri tani ka dhënë dukshëm më pak nga mundësitë e tij për fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe është nxitur privatisht të bëjë progres. Miliband mund të ketë shpresuar në fakt në punësimin e ndonjë emri “të madh” nga Obama, për synimet e tij…
Top Channel