Senati amerikan ka konfirmuar Samantha Power, e lindur në Irlandë, e diplomuar në Harvard dhe një studiuese e të drejtave të njeriut, si ambasadoren e presidentit Barack Obama në OKB.
Nominimi i saj u aprovua pas një votimi 87 pro dhe 10 kundër, duke vazhduar trendin, me të cilin Senati ka konfirmuar emërimet e Obama-s me mazhorancë bipartizane.
Zonja Power, një ish-këshilltare e Shtëpisë së Bardhë, do të zëvendësojë Susan Rice, tashmë një këshilltare për sigurinë kombëtare e Obama-s. Presidenti amerikan e quajti Samantha-n “një kampione e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit, prej një kohe të gjatë”.
Edhe pse emërimi i saj fillimisht u ndesh me kundërshtime nga republikanët dhe mbështetësit e tyre konservatorë, Power u konfirmua me lehtësi nën termat e një marrëveshjeje, të arritur së fundi mes mazhorancës demokrate dhe republikanëve, që kanë kanë përdorur shpesh herë fuqinë e tyre të bazuar në rregullat e Senatit, për të bllokuar konfirmimet e emërimeve të Obama-s.
Bazuar mbi marrëveshjen, që në Washington përshkruhet si një paqe mes dy partive, minoranca republikane në Senat ka pranuar të lejojë emërimet e 7 emrave të Obama-s për në kabinetin e tij dhe në fusha të tjera.
Në këmbim, demokratët kanë pranuar të mos ndryshojnë rregullat e Senatit për të zvogëluar fuqinë e minorancës për të bllokuar nominimet e tjera, përfshi këtu gjyqtarët.
Top Channel