Nga Zamira Çavo – Të përcaktosh një ekip, do të thotë të përcaktosh sekretin e suksesit. Realisht, duhet pohuar se nuk ka “çelës magjik” për të hapur dyert e suksesit. Por studimi i përvojave të suksesshme, vëzhgimi i detajeve të së përditshmes dhe aplikimi i shumë modeleve të suksesshme, për të parë rezultatin, janë mënyra më e mirë për t’u orientuar drejt një ekipi të suksesshëm. Në botë ka me qindra modele ekipesh të suksesshme. Zakonisht të gjithë vërtiten rreth fjalës SKUADËR! Shumë syresh mendojnë se skuadra është një grup njerëzish që darkojnë e bisedojnë për suksesin. Por kjo nuk është skuadër! Sepse po të ishte kaq e thjeshtë, do të zhvillonim vazhdimisht darka e dreka mes miqve dhe do quheshim të suksesshëm. Skuadra duket në fushën e lojës. Kjo e bën skuadrën, ekip fitues. Ka disa tregues që e përcaktojnë qartazi nevojën për të ndërtuar një ekip të suksesit.
Së pari, vlen SAKRIFICA. Kjo do të thotë të punosh në kufijtë e tu maksimalë, deri në limitet e mundësive. Dhe kjo sakrificë të bën të ndihesh në skuadër për të punuar drejt suksesit. Personalisht, kam qenë dhe jam e bindur se zgjedhja e grave në qeverisjen e re, jo thjesht i jep vlerë qëllimit të Ramës për “Ndryshimin”, por ia bën më të lehtë realizimin e një Skuadre. Gratë, nga natyra, janë mësuar të sakrifikojnë për të mirën e përbashkët. Janë punëtore deri në limitet e të pamundshmes, janë të gatshme të sakrifikojnë veten për të tjerët. Kjo më bën të besoj që në qeverisjen e ardhshme Rama ka siguruar të paktën 50% të sakrificës që i duhet një skuadre.
Së dyti, vlen BASHKËPUNIMI. Kjo do të thotë se asnjë ministër/e, nuk do të arrijë kurrë suksesin, nëse ai vetë, nënskuadrat e ministrave do të duhet të zgjidhen jo për arsye njohjeje, militantizmi apo pazaresh politike, por mbi aftësitë. Dhe kur kjo arrihet, atëherë bashkëpunimi del në plan të parë. Nëse do të arrihet që me punën të shkohet dëshira për të kontribuar dhe jo për të “zhvatur”, suksesi është në pragun e derës. Qeveria e re i ka këto mundësi. Madje të mëdha, ndaj nuk besoj se do të gjejë justifikime nesër, sepse populli u dha besimin e plotë!
Së treti, vlen EKUILIBRI. Në Skuadrën e madhe të qeverisjes “Rama” ekuilibri duket perfekt. Por ky ekuilibër duhet parë si një ekuilibër lojtarësh, ku gjithkush ka rolin e vet, detyrat e veta dhe mban përgjegjësinë e vet. Nëse Rama do të shkojë me filozofinë se “nuk ka përgjegjësi ministri, por ka përgjegjësi Kryeministri”, e ka të humbur Ekipin. (Të paktën kështu kam dëgjuar të justifikojë ministrat e qeverisë “Berisha”). Por unë vlerësoj Ramën, pikërisht sepse u ka dhënë përgjegjësinë e duhur individëve që kanë kontribuar me projektet e tyre të zhvillimit. Jam shumë dakord që ata që shkruajnë programet, dinë me siguri dhe si do të realizohen këto programe. Ndaj vlerësoj shumë që Beqja është pikërisht te Shëndetësia, sepse kam dëgjuar mjaft gjëra novative nga ky individ gjatë fushatës elektorale. Po kështu Cani, Bushati apo Harito. Kjo më bën të mendoj se Rama do t’i lërë “këmborët” t’i tundin ata të cilëve ai ua “ka varur”. Dhe ky është një element tjetër i rëndësishëm i një Ekipi.
Së katërti, vlen VIZIONI. Kjo do të thotë se, pavarësisht programit që ka Partia Socialiste, në një fushë të caktuar, vizioni i atyre që përbëjnë Ekipin e Ramës, mendoj se ka vlerë të jashtëzakonshme. Përdorimi i trurit, në kuptimin më të mirë të fjalës, do të sjellë sigurisht modele të reja në qeverisje. Dikush mund të mos jetë dakord me këtë, duke thënë se Rama i ka zgjedhur të tillë që të bëjnë çfarë dëshiron AI. Unë nuk e besoj këtë, pasi besoj se Rama dëshiron “të mbetet në histori” dhe i duhet detyrimisht suksesi. Për këtë do të nxisë idetë e reja, do të mbështesë zgjidhjet e duhura dhe kjo do të thotë që anëtarët e ekipit duhet të jenë gjithnjë të gatshëm të përdorin “trurin”, për t’iu përgjigjur kërkesave të ekipit. Për të qenë ministër nuk duhet talent, por duhet Vizion. Nëse do ketë prej të zgjedhurve të Ramës “lojtarë” pa vizon, kjo do duket që 6-mujorin e parë dhe unë jam e bindur se Rama nuk do ta tolerojë këtë. Shpejt do të gjejë mundësitë e zëvendësimit me “lojtarë” të rinj.
Së pesti, vlen VLERËSIMI. Jo si vlerësim për anëtarët e ekipit. Sigurisht, ata që u përzgjodhën nga Rama, duhet ta ndiejnë veten të privilegjuar. Por kjo nuk mjafton, sepse mund t’i shndërrojë ata në të nënshtruar. Vlen Vlerësimi, që ata do të dinë t’i bëjnë pjesëtarëve të ekipit të tyre, motivimit të stafeve me të cilat do të punojnë, por mbi të gjitha, vlerësim do të thotë që të njohësh mirë situatën, të njohësh mirë synimin që kërkon të arrish, në varësi të mundësive që ke. Pa një aftësi të gjerë vlerësuese, ekipi nuk arrin dot suksesin.
Nëse të gjitha këto elemente nuk do të shkrihen brenda asaj që Rama e quan “Skuadrën e tij të qeverisjes”, suksesi do të duket i dyshimtë. Por nga vlerësimet e tanishme, unë e besoj dhe pres me shpresë që ekipi ta provojë veten në fushën e lojës. Këtu do të tregohen vlerat e vërteta! Dhe nuk ka kohë për të humbur. Nëse vizonit të Ramës do t’i përgjigjen me një zë të gjithë anëtarët e ekipit, suksesi do jetë i stërmadh. Në të kundërtën, po kaq i madh do jetë zhgënjimi!
Top Channel