Shqiptarët, pas tetë vitesh qeverisje të qendrës së djathtë, kanë më së fundmi emrat e qeverisë së parë të majtë. Por, a ishin emrat që lexoi Edi Rama dje ekipi më i mirë që mund t’i prezantohej shqiptarëve dhe nevojave të tyre që i shtynë drejt një votimi plebishitar në 23 qershor?

A është kjo qeveria që na duhet dhe sa do t’i rezistojë ajo problemeve e raporteve delikate brenda së majtës?

Për të debatuar rreth kësaj çështje, në serinë e fundit të këtij sezoni të “Top-Story”, Sokol Balla ftoi në studion e tij katër analistë të mirënjohur, si Artan Hoxha, Lorenc Vangjeli, Afrim Krasniqi dhe Shpëtim Nazarko.

Duke nisur debatin nga risitë dhe surprizat e këtyre emërimeve, zoti Hoxha nisi arsyetimin e tij kundërshtues të idesë se qeveria e re përbën një kthesë vendimtare në politikën shqiptare. “Unë nuk quaj gjë të re kur ka një vijëmëësi. Është një koherencë dhe vijëmësi perfekte, e këtu flas për pjesën e Këshillit të Ministrave që përfaqëson PS. Shof vijëmësi pasi ky kabinet përfaqëson thelbin edhe të politikës së re të fushatës së 2009-s, edhe periudhën e ekstremizmit të Ramës deri në 2011-n dhe edhe gjysmënormalizimin e PS deri në 2013-n, pra kur ka një vijëmësi për mua nuk ka risi. Fakti që Rama tha se 90% e ministrave s’kanë mbajtur kurrë këtë post, do të thotë që asnjë nga ministrat e epokës socialiste Nano, Majko, Meta, e prapë Nano, nuk meritoka të jetë pjesë e këtij kabineti të ri dhe kjo quhet gjë e mirë. Kjo është politika e mohimit, gjë që tani ka marrë një emërtim të ri e quhet si politika e re”.

Një këndvështrim të ndryshëm ndan zoti Vangjeli, i cili në ndryshim nga parafolësi, sheh tek kjo qeveri doza të mëdha risie. “Që nuk janë përfshirë emra të kabineteve të shkuara socialiste është diçka e dukshme, por arsyet përse kjo nuk ka ndodhur duhen kërkuar gjetkë. PS, pas tetë vitesh është rithemeluar në një farë kuptimi, është shuar përfundimisht koha e atij që “rëndonte” në Shqipëri, koha e liderit historik të socialistëve dhe ka ardhur një parti e re cilësisht, në kuptimin që ruan të njëjtin emër, por me struktura të ndryshme dhe në tetë vjet PS e bëri këtë kapërcim drejt kryetrarit të ri”.

“Hoxha ka të drejtë vetëm në pjesën që PS dhe Rama kanë krijuar një konotacion të natyrshëm, që nuk ishte në zgjedhjet e 2009-s, por mbi të gjitha ky kabinet pasqyron një rrjedhë logjike dhe normale të proceseve politike”, vazhdoi Vangjeli. “Pavarësisht se mediat, me të gjithë hamendjet kanë gabuar gjithmonë, në një mënyrë ose tjetër, këta njerëz ishin paralajmëruar. Daljet publike, si Cani për ekonominë, Tahiri për rendin, Beqaj që ishte një lloj xholi apo emra të tjerë si Bushati ministër i jashtëm ishin profilizuar. Të vjetrit, mbase nuk e kapërcyen mbarë dhe qetë ndarjen e mandatit të deputetit nga portofoli i ministrit e një qeverisje e re, në kushtet e sotme, kërkon një energji tjetër. Mbase çdo emër mund të ketë probleme veç e veç, por së bashku janë një ansambël shpresëdhënës”.

Në rolin analistit, Kransiqi evidentoi disa ndryshime dhe veçori të kësaj qeverie të re. “Risi është fakti që shpallet një muaj para qeverie, një lloj risie formale që nuk ka ndodhur kurrë më parë, por e dobishme, pasi edhe vetë ata emra përgatisin stafet e tyre dhe kanë një ide të caktuar se çfare do të bëjnë. Vota e 23 qershorit reflektohet se ishte për ndryshim, jo për një qeveri me ministra të shkuar, por me këta njerëz të prezantuar dhe e dyta është një këmbëngulje e projektit të nisur në 2005-n, për të ndryshuar elitën politike drejtuese të PS dhe me këtë listë qeveritare ndryshohet ekipi drejtues. Vota ishte popullore dhe për shkak të numit të madh të deputetëve nuk i prish punë nëse do të ketë qejfmbetje. Ironia është se kur themi që s’ka pasur ministër të Nanos, vetë Rama ka qenë i rillë”.

Sipas Krasniqit ka edhe disa probleme serioze. “Për shkak të sistemit, Rama mësoi se si Berisha përdori pushtetin dhe ka vendosur të formojë një kabinet që i ngjan atij, tërësisht luajal për të mos i krijuar probleme brenda. Sot kemi qeverinë e Ramës dhe Metës, por njerëzit kanë votuar për një qeveri dhe s’mund të ketë dy standarte për një qeveri. Rasti i fundit, kryetari PS dhe kryeministri i ardhshëm bëri takim vetëm me ministrat e tij. Ka disa emra që nuk kanë lidhje me Rilindjen gjithashtu, si drejtësia dhe mjedisi. Drejtësia tek LSI, gjithashtu është një tregues që reformat e premtuara të drejtësisë nuk do të zbatohen, pasi vihet në krye të punëve një ministër që ka një qëndrim të ndryshëm politik në këtë drejtim”, shtoi Krasniqi, i cili gjithashtu mendon se ky kabinet nuk do të zgjasë për katër vjet, por do të ketë ndryshime të herëpashershme rrugës.

Në vëzhgimin e Nazarkos, Shqipëria është ndarë përfundimisht me një model politik. “Mendimi i përgjithshëm i imi, është se Shqipëria ka arritur fundin e një modeli politik, përfaqësuar nga të dy forcat. Në zgjedhjet e fundit ra modeli megallomanisë, me të parët e të dytët në botë, me mobilizime militantësh, etj dhe për mua ka rënë edhe Shqipëria e vjetër. Kjo që ka bërë Rama është akti zyrtar, a do ta fitojë këtë betejë problem tjetër. Por, Shqipëria e tanishme, e falimentuar në të gjithë planet, në raste normale siç ka ndodhur në botë gjëra të tilla zëvendësohen ose me diktaturë ose me reforma të mëdha që të nxjerrin jashtë loje struktura të tëra të superstrukturës. Diktaturë s’bëjmë dot për arsye objektive, por do të ishte budadallëk që me këtë vend të korruptuar, të zbatohet ideja sa ndryshimet do të bëhen me shoqrinë civile, etj”.

Sipas Nazarkos, “Rama ka vënë bast për idetë e tij, a do t’i realizojë? Unë besoj se nga pikëpamja taktike, kjo është një analogji, Shqipëria ngjan me atë të vitit 1997 kur erdhi Nano, po e njëjta katastrofë ekonomike. Kjo është një qeveri “jetime” në një pikë, pasi të gjithë anëtarët e kabinetit të tij, pjesa e PS, nuk kanë asnjë lidhje as tërthotë e asgjë tjetër me pjesën e vjetër. Bile edhe Cani, që është nga garda e vjetër, e që Basha e Berisha e përdorën si model vijëmsie, është një teknicien që ka më pak lidhje me PS se i gjithë kabineti. Megjithatë, është e qartë që kjo do të jetë një qeveri nën komandën e plotë të Ramës”.

Në rimarrjen e fjalës, Vangjeli gjeti një dakordësi me Nazarkon, ndërsa shtoi: “Ky kabinet do të jetë një detashment sulmi ndaj të gjithë asaj klike që na ka marrë frymën, për të ndryshuar stilin e qeverisjes, e nëse ka modestinë dhe kokën e ulur si qeveri, do të kontrastojë shumë atë që lamë pas, megalomaninë dhe krenarinë, si dhia që mban bishtin përpjetë”.

Një risi, e sjellë në vëmendje nga Krasniqi, është fakti që vendi këtë herë vendi do të drejtohet nga një kryetar bashkie dhe një zv/kryeministër gjithashtu kryetar bashkie. “Risi është se kemi kabinet që drejtohet nga kryeministër dhe zv. Kryeministër kryetar bashkie dhe kjo nxjerr në pah konceptin e administrimit që do të ketë kjo qeveri, por dua të them që në këtë lloj këndvështrimi s’është parë kabineti si një skuadron politik, por si njerëez mes politikës dhe teknicienëve. Ka modele të tilla që kanë bërë dhe vendet e tjera, si Zapatero në Spanjë, që bëri revolucion, solli tetë femra dhe gjithë kabinetin e ri, duke qëndruar tetë vjet në pushtet. Edhe në Sllovaki, Bullgari e Kroaci ndodhi e njëjta gjë. Unë mendoj që duke patur parasysh projektin e Ramës, ai ka bërë zgjedhjen më të mirë për këtë lloj specifike. Ai që unë shoh difekt është lënia jashtë e PDBNJ-së, kjo është hera e parë që s’kemi përfaqësim dhe me siguri do të korrigjohet rrugës”.

Për Hoxhën, është e gabuar të flitet për një tipar teknik të kësaj qeverie. “Dëgjova që iu dha tipari teknik, por ky është tipari më inekzistent. Të gjithë anëtarët janë politikanë karriere, Tahiri, Bushati, e të gjithë të tjerët, fakti se politikanët kanë edhe një profesion si bën teknicienë. Thelbi i këtij kabineti është thellësisht politik, ministrat në të gjithë botën shkolla të mira bëjnë, po kjo nuk i bën teknikë. Tipari politik i kësaj qeverie është ai që spikat mbi të gjitha, madje edhe krahasuar me qeverinë e 2005-s së Berishës. Kur them qeveri politike nuk është gjë e keqe, por të paktën të mos i veshim etiketa që nuk i meriton”.

Por ende pa marrë detyrën, qeveria Rama është vënë në qendër të kritikave të kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë në ikje, si dhe të vetë kryetarit të ri të sapozgjedhur të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Berisha e quan kabinet të kleptokracisë, ndërsa Basha qeveri kamikazësh me ministra të së shkuarës së largët. Por sa të bazuara janë këto akuza të lëshuara nga mazhoranca e sotme, nesër në opozitë, dhe sa serioze e bëjnë këto deklarata në sy të shqiptarëve pjesën e politikës që nesër do të vihet përballë 84 mandateve?

Për analistin Afrim Krasniqi deklarata e Lulzim Bashës është në të njëjtën linjë me modelin e vjetër politik të ndjekur nga paraardhësi i tij në Partinë Demokratike, Sali Berisha. Ai tha se Basha duhet të ndryshojë këtë model: “Basha duhet të tregojë me akte konkrete që ka një model ndryshe. Ai është kryetari i ri i një partie historike në Shqipëri. Nëse krijon një model tjetër mbi bazën e meritokracisë, ai ka të drejtë të flasë, nëse s’e bën këtë s’duhet të flasë. Shqiptarët ndëshkuan një model politik. Rama duhet të sillet si një lider i mazhorancës, të jetë i hapur me opozitën dhe mos e sulmojë atë. Rama duhet të sillet si një lider i përgjegjshëm i një mazhorance që respekton mendimin e opozitës”, tha Krasniqi.

Analisti tjetër, Shpëtim Nazarko u tregua më i ashpër duke e cilësuar gjuhën e përdorur nga zoti Basha si gjuhë të një politikani partiak të ’65 në Shqipëri. Ndërsa Lorenc Vangjeli tha se hapi i parë që duhet të bëjë opozita e re, është kalimi i fazës së dëshpërimit, sic e quajti ai.

Ministrat e kabinetit Rama nuk do të jenë deputetë, një risi kjo në politikën shqiptare. Për Artan Hoxhën ministrat bëhen më vulnerabël ndaj kryeministrit. Megjithatë ai e quajti të panevojshme këtë hap të Ramës për të patur nën kontroll ekzekutivin.“Ajo cka pretendon Rama që parlamenti do të mbikqyrë më mirë kryeministrin, nuk qendron. Kryeministër është Edi Rama, PS është Edi Rama. Grupi që i takon historisë së PS-së, do të jenë si sallam mes dy fetave sanduiç. Do të jenë në një paradhonmë jo të pakëndëshme tensioni politik. Numri i madh i deputetëvëe që ka kjo mazhorancë e zhvlerëson një votë. Në këtë situatë kemi një Edi Ramë që thellon më tepër pastrimin dhe kontrollin në PS. Kjo është një qeveri e dyshimtë që ka dy shefa, Edi Ramën dhe Ilir Metën. Duhet të shohim nëse qeveria e re do të jetë një parcelizim apo jo”, deklaroi Hoxha.

Ndërsa Lorenc Vangjeli, po për këtë cështje tha: “Nuk e kam kuptuar qartë ndonjëherë, por heqja dorë nga mandati i deputetit i bën më të dobët ministrat dhe krijon një ekuilibër mes qeverisë dhe paralmentit. Kam përshtypjen që me këtë Shqipëria bëhet një Republikë Parlamentare, ashtu sic e kemi të shkruajtur në Kushtetutë. Ky është një eksperiment i ri që pritet të vërtetohet. Nuk e di si do shkojë tamam. Unë i trembem numrave të mëdhenj sepse i besoj më shumë ekuilibrave dhe kontrollit”.

Krasniqi u shpreh skeptik mbi këtë model dhe si shembull solli Kosovën: “Kostumi i revolucionit të madh politik nuk ka shkuar deri në fund. Sa për mandatet, i vetmi vend në Europë nga këto modelet është Kosova dhe kjo nuk ka patur një rezultat të madh. Në kushtet e Shqipërisë, nuk shoh të ketë ndonjë ndryshim të madh sepse me ndryshimet kushtetuese kryeministri ka pushtetin më të madh. Ka një marrëveshje jo publike që është afatgjatë mes Ramës dhe Metës. Unë kërkoj nga dy liderët të bëjnë publike marrëveshjen e qeverisjes, jo marrëveshjen personale”, tha ai.

Lidhur me një konflikt të mundshëm brenda mazhorancës së ardhshme, Shpëtim Nazarko komentoi: “Besoj që nuk ekziston më konflikti PS-LSI. Në pamje të parë, Meta është njeriu më i fuqishëm politik në Shqipëri. Ka në dorë fatin e qeverisë dhe është popullor në pjesën e elektoratit të majtë, por nëse ikën Rama, LSI katandiset copë e cikë. Rama dhe Meta e kanë të pazgjidhshëm fatin politik mes tyre”.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Artan Hoxha: “Qeveria duhet marrë në raportin Rama-Meta, të tjerat janë derivate të këtij raporti. Ky raport duket shumë i qendrueshëm për një afat të gjatë. Pesha e rëndë e LSI-së në këtë mazhorancë e bën më të qendrueshme këtë mazhorancë dhe besoj që të dy liderët do dijnë të menaxhojnë orekset e pushtetit. Besoj që në një situatë kur qeveria është e pasuksesshme, Meta nuk do të njohë bashkëfajësi në dështimin e kësaj qeverie ndërsa suksesin do ta ndajë duke i dhënë pak më shumë Edi Ramës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA