Një zjarr ka rënë në masivin pyjor me pisha e bredha në zonën e Shelegurit. Zjarri fillimisht ka rënë në një zonë të shfrytëzuar nga firmat që operojnë me prerjen e druve për qëllime tregtie dhe më pas ka përfshirë gati të gjithë zonën e masivit pyjor me pisha.

Masat e pakta për parandalimin e zjarrit kanë bërë që flakët të përparojnë sot drejt masivit më të madh me halorë në këtë zonë, atij të Gërmenjit, i cili është dhe fond pyjor i mbrojtur nga shteti me qëllim zhvillimin e turizmit.

Në vendin e rënies së zjarrit nuk ka mundur të ndërhyjë zjarrfikësja e vetme e ardhur për të shuar zjarrin nga reparti ushtarak i Korçës për shkak të terrenit të thyer dhe rrugës së prishur nga makinat e rënda që punojnë për nxjerrjen e trupave nga pyjet përreth.

Forcat ushtarake të zjarrfikësve punonin vetëm me lopata e kazma për shuarjen e zjarrit në terren dhe ishin të pambështetura nga komuna. Asnjë makineri e firmave që operonin në terrenin e afërt nuk i ka ndihmuar, madje dhe vetë drejtori i Shërbimit Pyjor Ersekë nuk ka pasur mjet për të shkuar e drejtuar punën për shuarjen e zjarrit.

Top Channel